Dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Korçë janë arrestuar dje (9 tetor) pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Ata akuzohen se kanë favorizuar një shtetas të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial, duke i përpiluar një raport fitosanitar për tjetërsimin e cilësisë të këtij produkti, nga mall me akcizë në mall pa akcizë, me qëllim që të shmangte detyrimet doganore.
Të arrestuarit janë Feridon Ibi, 55 vjeç, banues në Pogradec, Dashamir Çaushi, 63 vjeç, banues në fshatin Qershizë, të dy me detyrë inspektorë pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Korçë, (nenet 284 e 25).
U arrestua edhe Vangjel Teodor. Ky i fundit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Qafë Thanë-Pogradec, duke transportuar me mjetin e tij tip furgon me targa PG 4046 B, një sasi prej 4600 kg rrush, të vendosur në 230 arka.
“Nga verifikimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm, ka falsifikuar deklaratat e origjinës së mallit pasi ka bërë shmangien e një sasie prej 2300 kg të kësaj sasie, si edhe ka ndryshuar varietetin e këtij produkti në praktikën doganore, duke mos e deklaruar se shërbente për prodhim industrial.
Në vijim të këtij rasti, dy inspektorët e AKU-së, shtetasit Feridon Ibi dhe Dashamir Çaushi, duke qenë të planizuar me shërbim pranë degës doganore Qafë-Thanë, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përpiluar një raport fito-sanitar duke tjetërsuar cilësinë e këtij produkti (ku sasia më e madhe e tij shërbente për prodhim industrial)” informoi sot policia e Korçës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip furgon dhe sasia e produktit.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale : “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 172, 186, 248 e 25 të Kodit Penal.



