
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, mesditën e sotme udhëtoi drejt Shkodrës, ku zhvilloi një takim me një grup oficerësh të rinj, të cilët pas përfundimit të studimeve bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe fitimit të gradës Nënkomisar, janë emëruar si specialistë për hetimin e krimit, narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në DVP Shkodër dhe në komisariatet në varësi të saj.
Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora, gjatë bisedës me oficerët e rinj, i ka inkurajuar ata për sfidat që i presin, sfida të cilat kërkojnë angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe ndershmëri, me qëllim që t’i jepet një impuls i ri punës së Policisë, në qarkun Shkodër.
Nano ka theksuar se qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë vendit, duan një polici të aftë profesionalisht dhe të ndershme, që t’u shërbejë qytetarëve dhe të luftojë krimin pa kompromis, e rrjedhimisht edhe Shkodra ka shumë nevojë për të tillë punonjës policie, të çdo niveli.
Bëhuni palë me ligjin dhe jo me krimin, e të keni refren e motiv thënien e një luftëtari e atdhetari të shquar: "Që nga dita që jam lerë, kurrë s'jam shitur, kurrë s'jam blerë!” Shërbeni Policisë së Shtetit duke garantuar rend dhe siguri për qytetarët, luftoni krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti, dhe ju siguroj se do të keni përkrahjen më të madhe që ju s’e keni imagjinuar, do të keni përkrahjen dhe mirënjohjen qytetare që rrallëkush e fiton, dhe pa asnjë mëdyshje do të keni edhe mbështetjen time dhe të stafit drejtues të DVP Shkodër.
Ndër të tjera ai theksoi se kanabisi është një sfidë e madhe sepse prej kësaj veprimtarie fuqizohen grupet kriminale dhe sjell krime dhe pasiguri për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.



