Vendimin e ekzekutuar fillimisht ndaj dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi ish-kryeministri Berisha e cilësoi një sulm politik dhe një proces të dirigjuar nga Kryeministri Edi Rama nëpërmjet SPAK të cilin ai në konferencat mediatike e etiketon “Skapi i partisë”.
Por çfarë ishte ky vendim dhe çfarë ka ndodhur prej datës 20 tetor 2023?
Ish-Kryeministri u mor person në hetim nga SPAK me dyshohet në përfshirjen e veprës penale të korrupsionit lidhur me procesin e privatizimit të terreneve të ish klubit “Partizani”.
Në këtë vendim të firmosur nga gjyqtarja Irena Gjoka, ndaj ish-Kryeministrin rëndon akuza e korrupsionit pasiv të funksionarëve publik dhe të zgjedhurve.
Ky vendim gjykate caktoi ndaj Berishës masën e detyrim paraqitje në Prokurorinë e Posaçme të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në ora 10 përpara oficeres së BKH-s Adelajda Metaj.
E teksa kjo masë nuk u zbatua asnjëherë edhe pse ishte një vendim gjykate të cilin në fuqi e la edhe Apeli i posaçëm.
SPAK mundi vetëm të bëj inaktive pasaportën e ish-Kryeministrin për ti ndaluar atij daljen jashtë vendit.
Kur kaluan katër herë që ish kryeministri refuzoi të paraqitej në SPAK me argumentin se ndaj tij ishte shkelur Kushtetuta duke mos kërkuar autorizim në parlament pasi ai është deputet, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai ndryshuan strategji.
Me anë të kërkesës drejtuar parlamentit me datë 12 dhjetor 2023, dokument i cili është firmosur edhe nga drejtuesi i SPAK z.Altin Dumani kërkohet ndryshimi i masës ndaj Berishës.
Nga detyrim paraqitje dhe pengim dalje jashtë vendi, SPAK kërkon arrest në burg ose arrest në shtëpi për ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin shqiptar.
Ja se çfarë thotë shkresa e Dumanit siguruar nga emisioni “FactCheck”
Të nderuar Deputetë të Kuvendit !
“Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr. Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u përgatitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ne atë të arrestit në burg / arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë”.
Tashmë kjo kërkesë e marrë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla së bashku me relacionin dhe provat e renditura nga SPAK i është vënë në dispozicion deputetëve të cilët do duhet të dalin me një raport.
Ky raport qoftë miratim apo refuzim të mandatit të kërkuar nga SPAK do ti nënshtrohet votimit në parlament. Në rast se SPAK do të marrë ok nga parlamenti do ti drejtohet më pas gjykatës së posaçme për të caktuar ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest në burg apo shtëpi.



