Koloreto Cukali, drejtor ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, duke komentuar në edicionin e lajmeve në Mcn Tv ngritjen e komisionet mbi dezinformimin nga PS, tha se në rastin më të mirë është një absurd, dhe në rastin më të keq një iniciativë për të goditur lirinë e medias. Duke u ndalur te afati i paracaktuar 1-vjeçar i punës së komisionit, Cukali ngriti pyetjen nëse ai po ngrihet për të pasur kontroll mbi zgjedhjet dhe mbi çfarë ndodh në media gjatë kësaj periudhe. Ndër të tjera ai ngriti shqetësimin se tregu mediatik në Shqipëri është i përqendruar në duart e 3-4 pronarëve.
Nuk është fare i nevojshëm, është një lëvizje e çuditshme, dhe pyetja e parë që i kam bërë vetes është ku duan të dalin. Çfarë objektivi të largët duan të synojnë, sepse nuk ka shumë kuptim. Përpara dezinformimit vijnë problematikat e informimit. Publiku nuk informohet sepse ka një nivel shumë të lartë propagande. Nga një monitorim i BIRN kemi parë që mbi 75 për qind e mediave është e përqendruar ne 3-4 duar, kjo tregon mungesë alternativash të informimit. Kemi futjen në sistemin e medias të njerëzve që duan të avancojnë interesat personale. Kemi edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve. Të flasim për dezinformim është absurde. Sepse lidhja e politikës me biznesin prodhon pjesën më të madhe të dezinformimit në këtë vend. Nuk kam dëgjuar që një komision parlamentar në një vend të demokracisë perëndimore, të ngrihet i parathënë që do zgjasë 1 vit. A mos vallë po ngrihet ky komision për të pasur një kontroll mbi zgjedhjet dhe mbi çfarë ndodh në media gjatë kësaj periudhe?! Gjithmonë ka një tentativë nga pushteti për të kontrolluar median. Ne jemi të detyruar të nisemi nga pozita mosbesuese. Duket sikur është produkt i një pasditeje, ku dikush ka thënë si të kontrollojmë median, është përmes komisionit hetimor. Ky është një komision në rastin më të mirë absurd, në rastin më të keq është një iniciativë për të goditur lirinë e medias. Z. Çuçi të tregojë fakte studime, ku bazohet shqetësimi i tij madh për ndërhyrje. Do kërkoja edhe një shpjegim çfarë kupton me dezinformim. A e dinë se për çfarë po flasin?! Kemi ministra që janë agjentë të fuqive të huaja, kështu që shqetësimi për artikuj të fuqive të huaja më duket pak i ekzagjeruar në raport me problematikat e medias. Edhe nëse ka një lloj propagande pro Rusisë apo Kinës, që janë argument kryesor që po përdorin ata që duan të ngrenë këtë komision, unë mendoj që është në nivele aq të ulëta saqë nuk justifikon ngritjen e komisionit hetimor”.



