Politika e BE-së tashmë po zhvillohet përmes internetit, duke i lënë ndërtesat bosh në Bruksel. Çka do të thotë se objektet e Parlamentit Evropian mund të përdoren në betejën kundër koronavirusit.
"Ne kemi vendosur të vëmë njërën prej ndërtesave tona në dispozicion për të pastrehët dhe për njerëzit më të prekur në shoqëri gjatë kësaj urgjence serioze shëndetësore", tha Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli në një video-mesazh.
Në rastin e Brukselit, dy hapësirat do të krijohen brenda njërës prej ndërtesave të saj. Një për të pastrehët dhe një tjetër për ata që largohen nga spitali, por që ende nuk mund të kthehen në shtëpi, njofton "Euronews".
Kuzhinat gjithashtu do të punojnë me kapacitet të plotë.
"Çdo ditë, kuzhinat tona do të bëjnë më shumë se 1 000 vakte për t'iu shpërndarë atyre në nevojë dhe gjithashtu punonjësve shëndetësorë, për t'i ndihmuar. Ne jemi afër atyre që vuajnë dhe me ata që punojnë pa u lodhur në spitalet tona”, shtoi Sassoli.
Që nga mesi i marsit, eurodeputetët dhe zyrtarët e Parlamentit Evropian kanë punuar nga shtëpia, duke i mbajtur takimet online dhe duke votuar edhe për mënyrat e përballimit të krizës.



