
Shpallen në kërkim ndërkombëtar Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Dy të akuzuarit për aferën me inceneratorin e Elbasanit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pas kontrolleve që Policia e Shtetit ka bërë brenda vendit dhe nuk janë gjetur.
Në një lidhje telefonike për ‘MCN Live’, gazetarja Anduena Llabani deklaroi se nga disa informacione dyshohet se këta dy persona mund të ndodhen jashtë territorit shqiptar dhe ajo që policia ka dijeni, është se përpara se ata të shpalleshin në kërkim është konkluduar se Zoto dhe Gugallja janë larguar nga një pikë kufitare me shtetin grek. Në Interpol ka mbërritur një informacion dhe ka dyshime të forta se këta të dy mund të ndodhen dhe jashtë territorit shqiptar.
Në njoftimin e SPAK thuhet se kompania “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncensionit) kanë marrë fatura dhe kanë kryer pagesa për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
“Albtek Energy” ka deklaruar në mënyrë fiktive 2.950.000 euro, ndërsa “Integrated Technology Services” 735 000 euro, 3.7 milionë euro gjithsej.
Sipas SPAK, shifrat e deklaruara si shpenzime dhe që janë fiktive, janë përfituar nga Lefter Koka, pra mbi 3.7 milionë euro gjithsej. Këto para, Lefter Koka i ka marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” për koncesionin.
Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.



