
Studentët e Universitetit të Tetovës, të cilëve u janë bashkuar edhe studentë studentë nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Evropës juglindore në Tetovë kanë protestuar, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për gjendjen në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni. E ndërsa parakalonin në rrugët e Tetovës, studentët të cilët kishin bojkotuar mësimin, mbanin parrulla “Ndal korrupsionit”, “Kërkojmë drejtësi”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, “Jashtë partitë politike, poshtë nepotizmi”. Këto në fakt janë edhe disa prej listës me 13 kërkesa.
Edhe pse kërkesat janë të ngjashme me ato të studentëve në Shqipëri, ndryshe nga atje, autoritetet kanë reaguar më shpejt. Në përgjigje të tyre, Universiteti i Tetovës përmes një deklarate shprehte gatishmërinë për të diskutuar në emër të një zgjidhjeje të përbashkët. “Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë besnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. UT është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Universitetit të Tetovës. Po kështu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Shkup thotë se po i ndjek me vëmendje kërkesat e studentëve që i paraqitën në protestën e organizuar në Tetovë, edhe pse paraprakisht në rrugë zyrtare nuk janë njoftuar për to.
KËRKESAT E STUDENTËVE TË TETOVËS:
Të hiqet pagesa e praktikës 2-mujore
Të zvogëlohet tarifa për studentët e thuaj
Të hiqet pagesa prej 100 euro për çregjistrim
Të ndalet kushtëzimi i blerjes së librave nga profesorët
Të rregullohet sallat dhe laboratorët
Parlamenti studentor të jetë i pavarur nga politika
Të rishikohen titujt akademikë
Të verifikohen plagjiaturat
Pedagogët të mos emërohen nga politika



