Plagoset me armë zjarri në malin e fshatit Matohasanaj të Tepelenës një 59-vjeçar.
Salla operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se në malin e fshatit Matohasanaj, njësia administrative Lopës, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri pushkë një shtetas tjetër, të dy barinj.
Shërbimet e policisë kanë organizuar menjëherë, punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Blerim Luzi, 30 vjeç, banues në fshatin Matohasanaj, pasi në malin e këtij fshati, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pushkë, shtetasin Sokrat Zeraj, 59 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



