
Gazetari Denis Dyrnjaja në ‘MCN Live’ duke komentuar për skandalin me drejtorët e Bashkisë së Tiranës për marrjen e tenderave, u shpreh se të përfshira në këtë skemë janë dhe shumë kompani me emër.
Ai tha se kemi dy palë të përfshira, njëra prej të cilave është sipërmarrja që është bërë palë me administratën e bashkisë, e cila ka funksionuar si grup i strukturuar kriminal i ngritur në nivele institucionale.
Sipas tij Veliaj nuk mund të heshtë, pasi i duhet të flasë për këtë operacion të SPAK ku është e përfshirë kupola e tij drejtuese.
Kam qenë në pritshmëri se kur do ndodhë kjo dhe me çfarë po kuptojmë, skema është bërë aq e kopsitur sa janë krijuar grup kompanish që kanë ndërvepruar sëbashku për ta ndarë tortën e parave pa u zënë për konkurrimin e tenderave. Një grup kompanish dhe me emër janë mbi 10-15 kompani të mëdha, të cilat kanë rënë dakord me një lloj kodi, që mesa duket që të përfitojnë të gjithë çfarë është për t'u përfituar.
Kemi dy palë: njëra është sipërmarrja që është bërë palë me administratën e bashkisë, e cila ka funksionuar si grup i strukturuar kriminal e ngritur në nivele institucionale. Do jetë një hetim i gjerë dhe ndërlikuar sepse përfshin shumë persona, dhe mund të përfshihen dhe persona për moskallëzim krimi, kështu që gama e njerëzve që duhet të hetohet është e madhe.
Një tjetër përgjegjësi është dhe ajo politike. ku kryetari i bashkisë del për çdo pemë, qen e mace, mur dhe bojë dhe kur vjen rasti që e gjithë kupola e tij e drejtuesve ka rënë në çarkun e SPAK dhe kjo heshtje e bën dhe më të ekspozuar në këtë faj, nuk e di nëse do të ketë një reagim.
Kështu që në këto elementë që kemi biznesin që ka përfituar para nga fondet publike, grupin e drejtorëve të organizuar dhe përgjegjësinë politike që mesa duket nuk po vjen. Nuk e di nëse SPAK do e thellojë hetimin, por minimalisht Veliaj duhet të ishte thirrur sot në SPAK për të dhënë detaje për këtë operacion.
I pyetur se çfarë ka parë te skema 5D si kanë qarkulluar paratë, Dyrnjaja tha se në këtë skemë abuzimi është e përfshirë dhe kompania e Samir Manes. Ai tha se maxhoranca nuk ka nevojë për opozitë sepse do rrëzojë veten, ndërsa theksoi se Veliajt duhet t'i ishte hequr e drejta e firmës deri në zgjidhjen e çështjes.
Skema është e thjeshtë, bëhet struktura e bashkëveprimit, dhe kam përshtypjen se njëra nga shkollat e rikonstruktuara që është ‘Hasan Vogli’ janë të përfshirë 3 kompani, njëra prej tyre është ajo e Samir Manes, kur rikonstruktimi i një shkolle është me vlera shumë të vogla, pra harpagonizmi ka arritur në ekstreme duke mos lejuar as thërrimen më të vogël të kalojë.
Prandaj dhe e kam thënë se maxhoranca s’ka nevojë për opozitë se do e rrëzojë veten e vet sepse megalomania, arroganca që të jep pushteti të shtyjnë të mos mbrohesh nga ato gafa që bën.
Ndodhemi përballë fakteve tronditëse, ku janë dukshëm njerëz të ekspozuar, madje dhe Veliajt dhe gjithë të implikuarve derisa të zgjidhet çështja duhet t'i hiqet e drejta e firmës sepse ndikon si mësim për të tjerët. Korrupsioni është aq arrogant, sa është vështirë të mos e shohësh. Njerëzit por dhe politika do fillojnë të krijojnë besim kur pa dallim do shkojnë përpara drejtësisë.
Heshtja dhe moskomentimi lë për të dëshiruar dhe kupton sem përveç biznesitm është e kapur dhe media. Opozita hesht sepse Berisha ishte në dasmën e Samir Manes si të flasë sot, prandaj ka një seleksion interesash dhe shpresa është vetëm te SPAK sepse janë paguar të gjithë.
Opozita është e implikuar po aq sa maxhoranca dhe s’ka kurajë të denoncojë me emra konkretë dhe fakte. Këtu pushteti ka degraduar, këtu ka nevojë për në bisturi që të gërryhet i gjithë ky kancer.



