Dosja e SPAK për Erion Veliaj! Çfarë zbuluan prokurorët për aferat e kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe bashkëshortes së tij

Dosja e SPAK për Erion Veliaj! Çfarë zbuluan prokurorët për aferat e kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe bashkëshortes së tij

9 muaj më parë festoi fitoren e tretë për drejtimin e kryeqytetit, por pamjet e 10 shkurtit tregojnë se asgjë nuk është sigurt dhe se kryesimi i bashkisë më të madhe të vendit të kthehet në një makth apo pendim.
Bashkia Tiranë menaxhon një buxhet me vlerë 390 milion euro dhe administron një territor të rëndësishëm, pushteti dhe fuqia e kryetarit të bashkisë është e madhe dhe Erion Veliaj e ka shfrytëzuar në mënyrë të gjerë.

Fijet e pushtetit të tij me bizneset, lejet e ndërtimit, mediat dhe paranë janë denoncuar ndër vite nga shumë grupe interesi, ndaj trokitja në derën e bashkisë Tiranë e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe arrestimi i tij, për shumë shihet si një akt politik.
Ky arsyetim lidhet me pushtetin e madh që Veliaj ka patur në disa shkallë të drejtësisë por dhe nga mungesa e hetimeve të thellura për dhjetëra çështje të kallëzuara për të ndër vite. 

Por mbi të gjitha Erion Veliaj kishte arritur të gjente një strehë të sigurt në çadrën e mediave më të rëndësishme të vendit duke orientuar sipas interesit të tij opinionin publik. Këtë mund ta ilustrojnë më së miri pamjet e arrestimit të tij, në të njëjtën kohë që në televizione ai dukej sikur ishte “Live” në inaugurimin e një kopshti të ri në zonën e Yzberishtit.

Me një kërkesë të depozituar më datën 24 janar 2025 nga prokurorët Olsi Dado e Altin Dumani dhe u konfirmua të dielën e 9 shkurtit nga gjykatësi Erjon Bani, u lëshua masa e arrestit me burg për Erion Veliaj i cili akuzohet më për veprat penale korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa akuza është më e madhe: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe refuzim për deklarim, por është vendosur masa e arrestit të shtëpisë për shkak të kushteve familjare pasi është nënë e një të fëmije të mitur.
Në masën e arrestit me burg ndodhet miku i çiftit Veliaj -Xoxa, Elman Abule pronar i kompanisë Rametal, i cili akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave. 

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën detyrim paraqitje dhe për 5 biznesmenë të tjerë të mëdhenj në tregun e ndërtimit dhe punëve publike, të cilët dyshohen për veprën penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë. 
Hetimet e SPAK tregojnë për një skemë të mirëfilltë korrupsioni dhe konflikti interesi e cila ishte bërë pjesë e një sistemi në Bashkinë e Tiranës, ku përfitues ishte Erion Veliaj dhe rrethi familjar i tij. Në total janë gjetur 3 milion euro përfitime të kryebashkiakut të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, në formën e parasë “cash”, depozitës bankare, blerjeve të sendeve me vlerë por dhe pasurive të patundshme. 

SPAK ka arritur të bindë Gjykatën e Posaçme duke paraqitur prova për të paktën 9 raste që e implikojnë në korrupsion Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij, ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja Ajola Xoxa si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh,” thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK ka mbledhur prova të cilat kanë orientuar prokurorët që të zbërthejnë gjurmët e pagesave që janë bërë në drejtim të disa shoqatave dhe kompanive, ku në fund fare paratë janë përfituar nga bashkëshortja e z. Veliaj Ajola Xoxa. Në disa nga këto organizata jo fitimiprurëse, Xoxa rezulton të ketë qenë kryetare bordi, por ky deklarim nuk është bërë në deklaratën vjetore të pasurisë dhe interesave privatë. 

Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit,  kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga kjo shtetase, kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht  një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur  në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lart, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë si dhe janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë,” thuhet në njoftimin e SPAK.


Prokuroria e Posaçme ka vendosur masën detyrim paraqitje për 5 biznesmenë të dyshuar për veprën penale të korrupsionit. Gentian Sula, pronar i kompanisë Agi Kons rezulton një njohje e vjetër e Erion Veliaj që në vitin 2004, ku nga të dhënat e sistemit TIMS del se që në vitin 2004 ai ka udhëtuar me avion në linjën charter me Veliaj dhe bashkësorten e tij Gentian Sula e cila më vonë është ka qenë e punësuar në postin e zëvendës ministres në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë prej vitit 2014 deri në vitin 2016 kur ky institucion drejtohej nga Erion Veliaj. Fijet kryesore të biznesmenit Sula me Erion Veliaj lidhen me kompaninë e tij Agi Kons e cila është një nga përfitueset kryesore të fondeve publike të bashkisë Tiranë dhe lejeve të ndërtimit. 

Agi Kons ka përfituar në total 43.6 milion euro kontrata publike si e vetme ose në bashkëpunim me operatorë të tjerë nga bashkia Tiranë dhe agjenci varësie të saj, ndërsa për periudhën 2019-2023 ka arkëtuar 9 milion euro nga aparati i bashkisë. 
Agi Kons është fituese e fazës së parë të tenderit për ndërtimin e teatrit Kombëtar bashkë me firmën BE-IS, kontratë me vlerë 18.4 milion euro dhe një prej operatorëve fitues për ndërtimin e 5 shkollave në kryeqytet përmes procedurës partneritet publik privat me vlerë 19 milion euro. Kjo shoqëri ka marrë leje ndërtimi për projektet e saj në zonën Kodra e Diellit dhe ndërtimin e një rezidence pranë liqenit të Farkës. 

SPAK dyshon se biznesmeni Gentian Sula si ndërtues i kompleksit Marea në Qerret i ka dhuruar një vilë familjes së kryebashkiakut Erion veliaj. Nga verifikimet e bëra mbi qelizat e numrit të telefonit ka rezultuar se çifti Veliaj-Xoxa kanë shfrytëzuar shpesh prej vitit 2020 ambientet e vilës në Qerret, ndërsa vetë prona është e regjistruar në emër të kompanisë Agi Kons. Hetuesit kanë gjetur fatura të pagesave të administrimit të kompleksit të paguara nga bashkëshortët Veliaj-Xoxa, sende personale të tyre dhe tabulate telefonike ku rezulton se Ajola Xoxa është marrë me arredimin dhe administrimin e shtëpisë. 

Të gjitha faktet të para në unicitetin e tyre provojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se kjo është vilë e fshehur e shtetasve Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa dhe nuk është deklaruara në ILDKPKI pasi është rezultat i një përfitimi të parregullt që i është dhënë nga shtetasi Gentian Sula në cilësinë e pronarët të subjektit Agi Kons", thuhet në dosjen e SPAK. 


Veliaj dhe Xoxa kanë kundërshtuar këtë dyshim të SPAK duke dhënë një tjetër version, se vila është në pronësi të mamës së Ajolës e cila e ka shkëmbyer me një apartament që ka patur më parë në këtë kompleks duke dhënë dhe një vlerë shtesë prej 30 mijë euro, por SPAK i qëndron versionit se pasuria është e tyre duke argumentuar se nuk ka një kontratë shitje për pronën dhe duke e mbështetur në dëshmi të të njohurve të çiftit të cilët janë shprehur se shtëpia në Qerret është e Ajola Xoxës. 

Çifti i kryebashkiakëve jeton në rezidencën Kodra e Diellit, i ndërtuar nga kompania e biznesmenit Sula, ku për vlerën e blerjes së apartamentit hetuesit konstatojnë mospërputhje në deklarimin e pasurisë krahasuar jo vetëm me tregun por dhe çmimet e shitjes së shtëpive për banorët e tjerë të rezidencës. Mungesa në deklarime janë gjetur dhe për të ardhura të tjera të deklaruara nga çifti Veliaj-Xoxa.

Nga analiza e të gjitha deklaratave të shtetasve Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, rezulton se nuk janë deklaruar adresa dytësore si shtëpitë e pushimit etj. Gjithashtu, konstatohet se nuk është deklaruar asnjë shpenzim për mobilim edhe pse disponojnë apartamente dhe zyra të deklaruara për ushtrim aktiviteti. Gjithashtu, janë deklaruar si të ardhura edhe dietat për t'u shpenzuar-jashtë shtetit në takimet zyrtare si dhe biletat e udhëtimit për jashtë shtetit të cilat duhet të blihen nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Ndodhur në këto kushte, lind pyetja kush ja ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat dhe përse duhet t'i kalojnë në llogarinë bankare shpenzimet e biletave?!” thuhet në dosjen e SPAK. 

Një tjetër biznesmen i rëndësishëm i cili dyshohet se ka përfituar punë publike në këmbim të ryshfetit është Shkëlqim Fusha, zotërues i kompanisë Fusha shpk. Kjo firmë është rritur në aktivitetin e saj pas ardhjes në detyrë si kryebashkiak i kryeqytetit Erion Veliaj, ndërsa të ardhurat kryesore të kompanisë mbështeten te kontratat me institucionet publike. 

Fusha shpk ka përfituar e vetme 71 procedura prokurimi ku 60 prej tyre janë me Bashkinë Tiranë dhe agjenci të saj. Fusha është firma ndërtuese e sheshit “Skënderbej”, ajo ka fituar bashkë me disa operatorë të tjerë koncesionin e formës PPP për ndërtimin e 4 shkollave në kryeqytet me vlerë 17 milion dhe është kompania e cila tentoi të përfitojë me ligj të veçantë kontratën koncesionare për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, ku në këmbim do të shfrytëzonte tokën publike dhe do të ndërtonte kulla. Kompania është pajisur me disa leje ndërtimi nga bashkia Tiranë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit. Në total Fusha ka arkëtuar për vitet 2019-2023 135 milion euro nga agjencitë publike, ku 56 milion euro janë nga buxheti i bashkisë dhe institucioneve të varësisë së saj.

Përmes hulumtimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, kompania e biznesmenit Shkëlqim Fusha rezulton të ketë paguar në formën e sponsorizimeve ndaj OJF-ve që zotëroheshin faktikisht nga Ajola Xoxa një vlerë 50 mijë euro për aktivitete të kryera për evente kulturore, por që SPAK ka vërtetuar se pagesat nuk kanë shkuar për qëllimin e dhënë duke i konsideruar fiktive dhe një formë korrupsioni që firma ka dhënë për bashkëshorten e kreut të bashkisë i cili më pas e shpërblente me fonde publike dhe leje. 

SPAK ka vërtetuar se dhe biznesmeni Fatmir Bektashi është pajisur me 6 leje ndërtimi përmes kompanisë së tij “Kontakt”, një pjesë e tyre e firmosur nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Hetuesit kanë gjetur se firma e tij ka paguar biletat e udhëtimit të tipit “business” Tiranë-Rotërdam dhe Rotërdam -Tiranë dhe1 natë qëndrimi në hotelin Marriot në Rotërdam të Holandës. Kompania e Bektashit rezulton të ketë paguar në përfitim të Ajola Xoxës disa sponsorizime, të cilat sipas SPAK nuk kanë patur lidhje me eventet kulturore por janë marrë në mënyrë të padrejtë nga kjo e fundit. 

Biznesmeni Meriman Palushi i kompanisë Palushi shpk po ashtu ka bërë pagesa drejt qendrave që  zotëroheshin faktikisht nga Ajola Xoxa për sponsorizimin e aktiviteteve kulturore, pagesa të cilat kanë përfunduar sipas SPAK te Xoxa. Kompania Palushi është përfituese e disa lejeve të ndërtimit në kryeqytet të firmosura nga Erion Veliaj.

Por historia që shpjegon më së miri përdorimin e kompanive që përfitojnë fonde publike nga zyrtarët është ajo e Sokol Kryeziut. Kryeziu ka punuar si fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit, më herët ai ka qenë fatorino dhe më ngarkues shkarkues i mbetjeve inerte për firmën Alb Tech Plast.

Ai ka punuar më parë si fatorino për kompaninë Gerard -A, por më pas ble kompaninë për vlerë 334 mijë euro, shumë që do e paguhet me këste për 6 vjet. Kompania Gerard A rezulton që nga viti 2018 ka përfituar në total 6 milion euro fonde publike, ku nga 23 procedura të fituara 22 janë me bashkinë tiranë dhe agjenci të saj. Gerard -A ka lidhur kontratë për shitje të koshave, stola dekorativë, mjete transporti, rehabilitim të lumit Lana dhe ndërtimi të rrjeteve të kanalizimit si dhe ka përfituar dy leje ndërtimi në kryeqytet. 

Nga analizimi i librave të shitjes të shoqërisë rezulton se “GERARD-A” ka marrëdhënie tregtare me entet publike. Nga totali i deklaruar, shitje me burim nga realizimi i kontratave publike është në vlerën 600 milion lekë me TVSH, të cilat janë rezultat i procedurave të prokurimit që janë fituar nga shoqëria me entet publike në varësi të Bashkisë Tiranë,” thuhet në dosjen e SPAK. 

Në ndihmë të përfitimit të pagesave korruptive prokuroria e Posaçme ka evidentuar një numër oraganiztash jo-fitimprurëse të cilat kontrolloheshin dhe administroheshin nga Ajola Xoxa, por në letra përdoreshin persona të tjerë. Kjo është vërtetuar me tabulate telefonike, dëshmi dhe kryqëzim faktesh. Përmes OJF-ve BYLA, Harabel, Eventus, Muza, Frobolous dhe në disa kompanive si NAAN Galeri, Partners law, Ava Studio dhe përdorimit të disa nipteve të personave fizikë, Xoxa ka arritur të përfitojë 1.1 milion euro pagesa të marra për evente ku një pjesë janë nga bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës apo biznesmenë që rezultojnë përfitues të fondeve publike.

Nga këqyrja ka rezultuar se Qendra Muza, Frobolous, BY-LA, Qendra ACA, shoqata Bash-Art, kanë marrë nga Bashkia Tiranë pagesa në formë financimesh për projekte të propozuara prej tyre, pagesa të marra me urdhrin e kryetarit të Bashkisë Tiranë”, thuhet në dosjen e SPAK. 


SPAK po ashtu dyshon se bashkëshortja e kryebashkiakut nuk ka deklaruar blerjet që ka bërë përmes faqeve online në vlerën 860 mijë euro në periudhën e katër viteve 2018-2021, pagesa që dhe pse janë kryer me kartat e personave të afërm të saj apo kompanive që kontrolloheshin prej saj, janë verifikuar se janë postuar në adresën e shtëpisë së Xoxës dhe janë mbështetur nga dëshmitë e personave në emrat e të cilëve ishin regjistruar kartat.

Pjesa më e errët e dosjes rezulton ajo ku kryetarja e Komisionit të Ligjeve klotilda Bushka ka qenë zotëruese e shoqatës Byla dhe e ka përdorur në disa raste për të marrë projekte, duke vendosur presona drejtues vetëm me letra. Në një rast shoqata ka përfituar fonde nga Ambasada Amerikane, projekt i cili nuk është zhvilluar me përjashtim të një darke dhe është justifikuar me fatura fiktive që në një rast janë prerë nga bashkëshorti i Klotilda Bushkës.

Pas nisjes së hetimeve Bushka rezulton në dy raste që ka orientuar dëshminë e ish drejtores ekzekutive të qendrës Byla duke i shkuar në punë dhe në një tjetër rast duke instruktuar si të përgjigjej përpara hetuesve dhe duke i blerë bashkë me Ajola Xoxën një telefon të ri në mënyrë që të asgjësonin telefonin e vjetër. 

Në përmbledhje të deklarimeve të bëra nga shtetësja I. G., rezulton se kjo e fundit është kontaktuar përsëri nga shtetësja Klotilda Bushka. Klotilda Bushka e udhëzon sesi duhet të sillet nëse thirret të deklarojë para organit procedues. Gjithashtu, shtetësja Klotilda Bushka i kërkon të mos tregojë që me herët i ka marrë telefonin celular dhe i kanë dhënë një të ri (dhënë nga Ajola Xoxa), duke e udhëzuar të thotë që telefonin e ri e ka patur në banesë", thuhet në dosjen e SPAK. 

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës duket se po ndryshon dhe raportet që mazhoranca socialiste kishte me institucionet e drejtësisë. Sulmi i parë erdhi nga vetë z.Veliaj përmes mesazheve që postoi në rrjetet sociale.

Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy. I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive. Ndjesë për çfarë ju kanë dëgjuar veshët dje deri vonë dhe sot që në sabah në ato kanale gjirizi. Por, dua të jini të sigurt se historia që po më tregon mua si një kriminel të korruptuar, i cili ka fshehur pasuri dhe pastruar para bashkë me të shoqen, është e sajuar nga një individ pervers, prokurori i çështjes tonë. Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysmë milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal", deklaroi Erion Veliaj.

Duket se kjo situatë nuk është shfrytëzuar si duhet as nga opozita. Edhe pse e kishte pjesë të aksioneve politike denoncimin e aferave në bashkinë e Tiranës, në reagimin e saj Partia Demokratike sulmoi dhe njëherë SPAK duke e konsideruar vegël të Edi Ramës për sfumuar lajmin se në krye të fushatës së saj do të ishte Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës zgjedhore të presidentit amerikan Donald Trump. Momenti i arrestimit të Erion veliaj po shënon një qëndrim të ri të socialistëve ndaj SPAK. Tashmë është në dorën e kryeministrit për të zgjedhur pasuesin e Veliajt në krye të bashkisë Tiranë, por për momentin atë do ta drejtojë nënkryetarja Anduela Ristani.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy