
Shteti shqiptar do t’i kishte kursyer buxhetit plot 3 milionë euro nëse do të kishte hapur tenderin për blerjen e energjisë vetëm një ditë më vonë. Në studion e lajmeve të MCN TV, inxhinieri elektrik, Azmer Duleviç, tha se tenderi i hapur më 29 korrik siguroi energji me vlerë 15 milionë euro, kur mund ta blinte një ditë më pas, par më 30 korrik, për një çmim 100 euro më të ulët për kilovat, pra në total 3 milionë euro më lirë.
Kërkesa për energji është shtuar. Me 29 korrik, shteti ka blerë energji me kosto 15 milionë euro. Nëse kjo energji nuk do të ishte blerë më dt 29 korrik, do të ishte blerë energjia me 100 euro më pak, pra do kishim kursyer 3 milionë euro. Pra të njëjtën sasi e blemë me 15 milionë euro, kur mund ta blinim me 12 milionë euro.
Sipas Duleviç, parashikohet që nga buxheti i shtetit deri në fund të këtij viti të dalin rreth 650 milionë euro vetëm për të siguruar energjinë elektrike.
Nga janari janë shpenzuar 210 milionë euro. Deri në momentin që flasim janë 410 milionë euro nga taksat që shkojnë për blerjen e enerjgisë elektrike. Parashikohet të merren nga buxheti edhe 200 milionë të tjera. Pra rreth 600-650 milionë euro vetëm për të siguruar energjinë elektrike.
Përsa kohë, prodhimi vendas mbulon vetëm gjysmën e nevojave për energji elektrike, importi dhe masat kufizuese dhe ndryshimi i çmimit bëhen të domosdoshme, sidomos me afrimin e stinës së ftohtë.
Konsumi si çdo vit, është i madh. Për hir të së vërtetës, kapaciteti është 50% për ta mbuluar. Pra pjesën tjetër e blejmë nga jashtë. Janë disa hapat që parashikohen. Një diskutim do të jetë me fasha, mbi 800 kilovat do të ketë çmim të ndryshuar. Por nuk përjashtohet të ketë rritje të energjisë nga zero kilovat. Edhe vendet e rajonit kanë të njëjtin problem dhe pritet rritje edhe e energjisë elektrike të importuar.
Por sipas Duleviçit, shpërdorimi më i madh i energjisë, edhe pse në kohë krize, bëhet nga administrata dhe pushteti vendor.
Qeveria duhet të fillojë nga administrata. Jemi në verë dhe punonjësit e administratës janë shpërdoruesit më të këqinj të energjisë. Rrinë kondicionerët ndezur edhe në korridor. Ndriçimi rrugor në zona të caktuara të Tiranës është i ndezur ende në mes të ditës. Pra qeveria para së gjithash duhet të marrë masat për administratën.
Rritja e pritshme e çmimit të energjisë, sipas Duleviç, e bën të domosdoshëm përjashtimin nga tarifat e reja ose rimbursimin e një kategorie qytetarësh.
Duhen marrë disa masa, pasi çmimi i energjisë elektrike në kuotat ku jemi tani, nuk do të jetë më. Duhet bërë një ndarje për një kategori të caktuar qytetarësh, pasi jo të gjithë qytetarët mund të përballojnë rritjen.
Sa u takon centraleve lundruese në Vlorë, që qeveria i prezantoi si opsion për shtimin e kapacitetit prodhues disa muaj më parë, Duleviç tha se vonesa në bërjen funksionale nuk do të ketë asnjë ndikim në rritjen e kapacitetit prodhues.
Centralet u porositën për të ardhur në pikun e sezonit veror. Jemi në gusht dhe nuk kanë ardhur ende. Flitet se do vijnë në shtator, por duan kohë të instalohen. Pra do të vijnë në një moment kur do të kenë filluar reshjet, pra nuk do të jenë të nevojshme. Plus, kostoja e funksionimit të tyre nuk e justifikon qëllimin.



