Është arrestuar ish-kreu i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku.
Ai u ndalua në një spital privat në Tiranë, ku u paraqit në gjendje të rëndë nga diabeti. Personeli i spitalit, ishte ai që njoftoi policinë dhe menjëherë u bë arrestimi i tij.
Aktualisht ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Kajmaku ishte shpallur në kërkim prej nëntorit të vitit 2019, ndërsa akuzohet për shpërdorim detyre dhe ushtrim të funksionit jashtë afateve të mandatit të tij.
Policia konfirmon se Kajmaku është arrestuar në një spital privat në Tiranë ku kishte shkuar të merrte mjekim.
Njoftimi:
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tirane u krye ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit në kërkim:
A. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 09.11.2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.
Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.



