
Përhapja e koronavirusit në botë dhe sidomos ritmi i shpejtë i ditëve të fundit në vendin fqinje, Itali, i ka detyruar autoritetet shëndetësore të shtojnë masat parandaluese. Përveç këtyre të fundit, Ministria e Shëndetësisë konfirmon se ka marrë masa edhe për karantina në rast të hyrjes së virusit në vend. Në lidhje me një lajm që qarkulloi sot në media për ngritjen e një karantine në zonën e Lundrës, ka reaguar zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Ajo konfirmon se ka një vendim për strukturën e karantinës, por nuk jep detaje për vendndodhjen e saj.
“Komiteti teknik me mjekë dhe ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, në bashkëpunim edhe me perfaqsues të zyrës së OBSH në Tiranë, në paketën e masave teknike për përballjen me COVID 19, që prej mbledhjes së dytë të tij, ka përcaktuar me vendim të posaçëm strukturën e karantinës. Kjo strukturë përmbush të gjitha standartet e përcaktuara nga OBSH, në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit. Po sipas këtyre kritereve kjo strukturë vihet në funksion vetëm në bazë të një rregulloreje të miratuar, dhe vetëm në rast se do të jetë e nevojshme, ashtu siç e përkufizon OBSH”, shkruan zv.ministrja.
Ajo bën thirrje që rasti të mos përdoret për qëllime politike.
“Në vijim të shfaqjes së disa rasteve sporadike të përdorimit të situatës me koronavirusin për qëllime politike, Ministria e Shëndetësisë e konsideron përhapjen e panikut për këto qëllime, si të fundit gjë për të cilën kanë nevojë qytetarët në këto momente”.
Rakacolli thekson se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton se Komiteti Teknik ka marrë të gjitha masat për parandalimin e shfaqjes së virusit, në përputhje me të gjitha rekomandimet që jep OBSH, me ekspertët e të cilës janë pjesë e Task- Forcës së ngritur, Komiteti Teknik është në komunikim dhe konsultim të vazhdueshëm.



