
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë pasditen e sotme ka miratuar me 71 vota pro aktin normativ për ndryshimet e buxhetit të vitit 2022.
Mësohet se kundër këtij akti kanë votuar 38 deputetë, kundër 38 dhe 0 abstenim.
Qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2022, me qëllim për t’ju përgjigjur situatës ekonomike të vendit, si rezultat i krizës energjetike dhe asaj të çmimeve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi e para në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime”.
Sipas saj, fokusi kryesor i rishikimit të buxhetit është financimi i mbështetjes për shtresat dhe sektorët e prekur nga situata e krizës dhe reduktimi i deficitit buxhetor për garantimin e qëndrueshmërisë së parametrave makroekonomikë.
Akti normativ, i cili u publikua në Qendrën e Publikimeve Zyrtare ndryshoi kufijtë e të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit.
Kështu, të ardhurat buxhetore rriten me 30 miliardë lekë, duke shkuar në 576 miliardë lekë nga 546 miliardë lekë që ishin programuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars.
Të ardhurat shtesë, prej 30 miliardë lekësh, 12 miliardë lekë do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor dhe 13 miliardë lekë për rritjen e shpenzimeve publike.
U miratua gjithashtu edhe projektvendimi për zgjatjen e afatit për komisionin e Reformës Zgjedhore me 107 vota pro dhe 0 kundër.



