Protestën e paralajmëruar nga presidenti Ilir Meta më 2 mars, analisti dhe gazetari Mustafa Nano e sheh si një test edhe për lidershipin e Lulzim Bashës në krye të opozitës. Në një bisedë në studion e TvT, Nano tha se protesta për të cilën kreu i PD-së ka shprehur mbështetje, do të jetë një rast me të cilin Meta kërkon të afirmojë veten si opozitë e qeverisë.
“Nuk shoh interes të PD-së për t’iu bashkëngjitur protestës, sepse një protestë e madhe në përmasa do të ishte kundër vetë Lulzim Bashës. Kjo do të krijonte idenë se opozita tashmë ka gjetur një lider të ri”, tha ai.
Sipas Nanos, përtej shqetësimit për shkeljet kushtetuese që Meta i quan tentativë për grusht shteti, nxitja për një protestë të tillë mund të ketë edhe arsye të tjera.
“Fakti që Basha është i dobët, por mund të ketë edhe shqetësimin që LSI-ja është dobësuar. Tjetri mund të jetë ai që Meta është i shqetësuar për ato që i quan shkelje kushtetuese. Por ai e sheh si një rast të mirë që të afirmojë veten në opozitë. Nuk e di si janë shifrat e LSI-së, por nëse pranojmë se është dobësuar, kthimi i Metës e bën të rikuperojë votat që ka humbur. Nëse ai kthehet në politikë aktive, e bën për të rivalizuar Lulzim Bashën. Për t’i thënë opozitës ‘keni 4-5 vjet që rropateni se nuk keni lider. Ai tani jam unë’”, tha ai.
Nano tha se nuk ka ndonjë pritshmëri për protestën e 2 marsit. Megjithatë, nëse ajo do të ketë përmasa të mëdha, atëherë do t’i japë Metës rastin për të rishikuar rolin e tij në politikën e vendit.
“Nuk pres shumë nga 2 marsi. Bazuar te ajo që thashë, pres të verifikohet. Ilir Meta ka një shpresë: protestë të madhe. Nëse do të jetë e madhe, atëherë do të jetë rasti që ai të shikojë rolin e tij në politikën shqiptare”, tha Nano.
Lidhur me zërat për shpërndarjen e Parlamentit nga Meta, Nano tha se edhe nëse ndodh, një hap i tillë nuk do të kishte asnjë lloj vlere.
“Kam përshtypjen që kanë spekuluar zëra mediatikë. Nuk mund të ndodhë sespe Kushtetua e përcakton qartë. Parlamentin nuk e shpërndan presidenti. Vendimet kanë të bëjnë me maxhorancën. Mendoj se nuk ka për ta bërë kurrë, por edhe nëse do ta bënte, nuk do ta pyeste njeri, njësoj si me dekretin e 30 qershorit”, tha ai.



