Ish-drejtori i qendrës së pritjes dhe shoqërimit të azilkërkuesve në Francë, Edmond Bogdani, thotë se arsyet më të shumta që i shtyjnë shqiptarët drejt largimit janë ato ekonomike.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se raporti i vitit 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e gjashtë për numrin e azilkërkuesve me rreth 5800 kërkesa, ku në vend të parë është Afganistani.
I pyetur se sa shqiptarë kanë arritur të sigurojnë përgjigje pozitive për azil, Bogdani sqaroi se bazuar në kërkesat e para dhe jo rishqyrtimet vendimet pozitive janë 155 të statusit të refugjatit dhe mbi 600 të mbrojtjes në kuadër të të drejtave të njeriut.
Sipas tij, shkak për kërkesat për azil janë hakmarrje, konflikte dhe borxhe.
Në 31 dhjetor 2022 në Francë ishin mbi 10 mijë persona që kanë status mbrojtje nga ana e Francës, nga Konventa e Gjenevës apo nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku gratë përbëjnë 52% të përgjigjeve pozitive.
Peshën më të madhe të kërkesave për azil e mban Gjermania.
Bogdani tha ndër të tjera se dikujt që i refuzohet kërkesa për azil, nuk i lejohet të dalë nga Shqipëria për tre vjet.



