
Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer foli dje në Senat për të denoncuar atë që ai e konsideroi sekuestrim të paligjshëm të Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë. Schumer vuri në dukje se janë ndërprerë financimet dhe programet e një agjencie që mbron interesat amerikane në mbarë botën, ndërkohë që nuk dihet me se çfarë autoriteti ligjor kanë hyrë punonjësit e DOGE në zyrat e USAID-it.
“Para syve tanë, një qeveri hije e pazgjedhur po kryen një kontroll armiqësor të qeverisë federale. Të premten mbrëma, i ashtuquajturi Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, i udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, mori akses në të gjithë sistemin e pagesave të Departamentit të Thesarit, duke përfshirë përfitimet e Sigurimeve Shoqërore dhe Medicare dhe rimbursimet e taksave të amerikanëve. Do të flas më shumë mbi këtë në një tjetër moment.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Këtë fundjavë, stafi i DOGE ekzekutoi gjithashtu atë që mund të përshkruhet vetëm si një sekuestrim i paligjshëm i Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar, ose USAID. Ne nuk e dimë kush janë këta punonjës të DOGE. Nuk e dimë nëse kanë leje sigurie. Ne nuk e dimë se çfarë autoriteti ligjor kanë ata për të hyrë në objektet e USAID-it, nëse ka. Por ne dimë disa gjëra. Së pari, ne e dimë se USAID është shkatërruar plotësisht. Zyrat e saj janë të mbyllura. I janë prishur kontratat. Financimi për programet e saj, që mbron interesat amerikane në mbarë botën, janë ndërprerë”.
Ai i konsideroi deklaratat e Sekretarit të Shtetit Rubio si “tallëse”, duke theksuar se mbyllja e USAID-it vë në rrezik sigurinë amerikane.
“Sekretari Rubio tha në një intervistë se ai është emëruar administratori në detyrë dhe se ata po shohin se si mund ta riorganizojnë USAID-in. Por me kë po tallet? Praktikisht nuk ka mbetur asgjë nga USAID për të rishikuar! Edhe ndihmat për shpëtimin e jetës që ai pretendon se janë të përjashtuar nga masat, nuk po shpërndahen. Së dyti, ne e dimë se mbyllja e USAID-it e vë në rrezik sigurinë amerikane.
Programet e USAID-it ruajnë ndikimin e Amerikës në Afrikë, Azi dhe rajone anembanë botës. Përpjekjet tona humanitare janë kritike për të luftuar Ebolën, e cila po përhapet në Ugandë tani. Është thelbësore për të luftuar aktivitetin terrorist”.
Chuck Schumer paralajmëroi se nëse SHBA tërhiqet nga pjesa tjetër e botës, ky boshllëk do të mbushet nga Kina, ndërsa do të rritet edhe ndikimi rus.
Nëse Amerika tërhiqet nga pjesa tjetër e botës, Kina do të mbushë boshllëkun. Ndikimi i Rusisë do të rritet. Urrejtja kundër SHBA-së do të vazhdojë të rritet. Ndikimi ynë diplomatik do të shpërbëhet. Së treti, ne e dimë se mbyllja e njëanshme e USAID-it është e paligjshme.
“Donald Trump nuk ka autoritetin për të zhbërë një agjenci të pavarur të krijuar nga Kongresi. As Departamenti i Shtetit nuk mund të fshijë USAID-in, veçanërisht sepse tani në thelb nuk ka mbetur asgjë për të absorbuar. Ne gjithashtu e dimë se ky është vetëm fillimi”.



