
Një mijë të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur, është bilanci tragjik i tërmetit të fuqishëm që goditi Afganistanin. Shifrat konfirmohen nga një zyrtar taleban për BBC.
Ndërkaq imazhet tregojnë rrëshqitjet e dheut dhe shtëpitë e rrënuara në provincën lindore të Paktikas, ku vijon puna e ekipeve të shpëtimit.
Udhëheqësi i talebanëve Hibatullah Akhundzada tha se qindra shtëpi u shkatërruan dhe numri i të vdekurve ka gjasa të rritet.
Ky është tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në dy dekada. Shefi i informacionit për provincën Paktika, Mohammad Amin Hazifi, tha për BBC se 1,000 njerëz kanë vdekur dhe 1,500 janë plagosur.
Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të të tjerëve që kanë mbetur nën rrënoja, shtoi ai.



