Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare, foli në edicionin e lajmeve në MCN Tv për raportin e përvitshëm që ka matur përmes anketave perceptimin e studentëve në raport me korrupsionin dhe integritetin e pedagogëve në universitete.
Vjerdha e konsideron një sirenë alarmi faktin që 10 për qind e studentëve pranojnë se kanë dhënë para për një notë më të mirë. Po ashtu shumë studentë vlerësojnë plagjiaturën si problem evident në institucionet akademike. Vjerdha vë në dukje se institucionet mundohen t’ia pasojnë peshën e fajit palëve të ndryshme.
“Kryetema e raporteve ndërkombëtare është kërkesa e vazhdueshme për anti-korrupsionin. Kemi zhvilluar një anketë në 8 universitete të ndryshme. Forma kryesore që përbën 44 për qind të perceptimit të studentëve vazhdon të jetë pagesa në këmbim të notës. 22 për qind e tyre thonë se janë të detyruar të blejnë libra. 7 për qind thonë se favoret seksuale janë pjesë e korrupsionit në universitete. 10 për qind shprehen se po ne kemi dhënë para për të marrë një notë më të mirë. Në anketë perceptohet frikë nga ana e studentëve.
10 për qind e pranojnë se kanë dhënë para për të marrë një notë më të mirë. 1/10 studentë është pjesë e një veprimtarie korruptive, dhe kaq mjafton që të jetë një sirenë alarmi. 20 për qind thonë se prezencën e korrupsionit e kanë nga eksperienca personale. Studentët vlerësojnë plagjiaturën si një problem evident brenda institucioneve akademike. 44 për qind shprehen se disa pedagogë nuk zotërojnë lëndën për të cilën japin mësim. Pjesa më e madhe evidentojnë mungesën e respektimit të orareve nga pedagogët. Sa i takon sjelljet, 35 për qind shprehen se pedagogët brenda universiteteve kanë një sjellje arrogante në marrëdhëniet me studentët.
Padyshim ky është perceptim. Por është një bazë shumë e mirë për t’u thelluar nga institucionet për të kuptuar si funksionon në të vërtetë. Kur vjen puna te institucionet, ato mundohen t’ia pasojnë përgjegjësitë dhe peshën e fajit palëve të ndryshme. Vazhdon të ketë rektorë dhe dekan të përjetshëm. Kemi trashëgimi posti. Studentët mendojnë në shumicën e tyre që punësimi brenda institucioneve akademike bëhet përmes lidhjeve personale dhe metodave korruptive”.
Vjerdha theksoi se arsimi i lartë ka nevojë për një Veting, nga hetimi pasuror te ai profesional dhe punimet shkencore.



