
Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN u shpreh se zjarri në landfillin e Elbasanit është pasojë e korrupsionit me inceneratorët. Ai tha se kjo gjë fillimisht u pa në landfillin e Fierit kur u ezaurua hapësira me mbetje dhe tashmë e njëjta gjë edhe në atë të Elbasanit, kjo sipas tij të bën të mendosh se kjo është e qëllimshme.
Më tej, Tomorri tha se kjo gjë ka për të vazhduar dhe shumë shpejt do të shihet edhe në landfillin e Tiranës, pasi tashmë është njoftuar se hapësira për mbetje është në limite.
“E para janë pasoja të korrupsionit, efektet që ka prodhuar ajo aferë korruptive në terren. Jemi në rastet kur kemi patur raste të zjarrit dhe është hera e dytë dhe e tretë që ndodh. Ka ndodhur edhe në Fier dhe kjo na lë të kuptojmë që është zjarre vënie e qëllimshme.
Aty u tha se do të ndërtohej incenerator dhe nuk e bënë. Tani i kanë rënë shkurt dhe duke qenë se nuk kanë më vend u vënë flakën mbetjeve. Kjo histori ka për të vazhduar sepse do të vazhdojë në Fier dhe Elbasan dhe shumë shpejtë do të ndodh edhe në Tiranë sepse nuk ka ku të shkojnë mbetjet.
Para pak javësh u sabotua edhe inceneratori i Fierit i cili mund të bëhej edhe funksional, por nuk u ezaurua. Ato shpenzime që duheshin nuk u autorizuan dhe bashkia e Fierit ka kaluar dy javë më parë la në pasiv kompaninë që donte të merrte në administrim atë.
Finalja është që Shqipëria ka paguar gati 200mln euro për të tre incenearatorët dhe nuk ka asnjë funksional. I Tiranës nuk ekziston, ai i Fierit u sabotua dhe Elbasanit në 5-6 vjet ka punuar vetëm 3 muaj.”



