
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar një plan të ri sigurie për të lejuar kandidatin republikan presidencial Donald Trump që të vazhdojë të mbajë mitingje në ambient të hapur pas atentatit të cilit i shpëtoi korrikun e kaluar.
Një zyrtar i agjencisë federale e ka konfirmuar këtë për gazetën “The Washington Post”, duke specifikuar se agjencia do të përdorë xham antiplumb për të mbrojtur Trump gjatë mitingjeve në ambient të hapur.
Siç shpjegoi zyrtari për gazetën, procedura “është një përmirësim i madh në planifikimin standard të sigurisë të Shërbimit Sekret për ngjarjet e fushatës së kandidatëve”.
Përdorimi i xhamit antiplumb, nëse konsiderohet i nevojshëm për aktivitetet në ambient të hapur, normalisht parashikohet vetëm për presidentët dhe zëvendëspresidentetët.
Me synimin për të mbrojtur më mirë Trump, zyrtari tha se Shërbimi Sekret filloi të vendoste materialin dhe xhamin balistik në vende të ndryshme në të gjithë vendin.
Shërbimi Sekret do të përdorë edhe mjete të tjera teknike të sigurisë që zakonisht nuk u ofrohen kandidatëve presidencialë, tha zyrtari, pa shtuar detaje të mëtejshme.
Trump i shpëtoi një atentati më 13 korrik gjatë një mitingu në Butler, Pensilvani. Më pas, inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së hapi një hetim mbi trajtimin e sigurisë në tubim nga Shërbimi Sekret, agjencia federale përgjegjëse për mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve.
Në një shënim të shkurtër të postuar në faqen e internetit të inspektorit të përgjithshëm, agjencia tha se qëllimi i hetimit është të vlerësojë procesin që Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ndoqi për të siguruar ngjarjen e fushatës së ish-presidentit Trump të 13 korrikut 2024, gjatë së cilës ndodhi një atentat.



