Drejtori i CRCA, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, hedh dyshime për fatin e 68 fëmijëve të pashoqëruar të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar dhe figurojnë të zhdukur.
Në një lidhje për MCN Live ai shprehu bindjen se bëhet fjalë për më shumë fëmijë, por se një shifër e tillë bazohet në të dhënat zyrtare gjatë vitit 2022, pasi në total kanë hyrë rreth 2 mijë.
Hazizaj shtoi se këtë vit numri ka rënë, edhe për shkak se ka disa rrugë të reja që konsiderohen më të sigurta për të lëvizur fëmijët ose të rriturit.
Sipas tij, nuk është thjesht fakti se janë 68 fëmijë të humbur gjë që kërkon hetim të thelluar, por shikohet me shqetësim se institucionet publike shqiptare, ende nuk janë duke dhënë shpjegime për zhdukjen e tyre dhe pse nuk është zbatuar ligji shqiptar.
Nuk është dhënë si dhe pse është zgjedhur një mjedis privat për të vendosur fëmijë që duhet të ishin nën kujdesin dhe mbrojtjen e institucioneve të specializuara siç është rasti i Policisë së Shtetit.
Kemi ndërtim të gabuar të sistemit që në gjenezën e tij ka gjeneruar fëmijë të zhdukur.
Këta fëmijë zhduken dhe ne pretendojmë se janë mirë, janë në Gjermani apo Francë, por e vërteta është se shumica e këtyre fëmijëve bien pre e trafikimit, apo ka raste që merren organet e këtyre fëmijëve.
Shumica e këtyre fëmijëve vijnë nga zona konflikti kryesisht nga Siria, Afganistani, Irani, Palestina, por zonat kryesore janë Siria, Afganistani dhe Iraku.
Këta fëmijë kryesisht nga vëzhgimi dhe nga intervistat, janë pjesë e rrjeteve të organizuara kriminale që trafikojnë dhe kontrabandojnë fëmijë në të gjithë Europën.
Këta fëmijë kur vijnë në Shqipëri, pavarësisht se merren në mbrojtjen e autoriteteve shqiptare, janë sjellë deri në Tiranë, por në Tiranë në mënyrë të pashpjegueshme, pa bazë ligjore, janë vendosur në një mjedis privat në një organizatë joqeverotare.
Policia nuk ka përgjigje se çfarë ka ndodhur me këta fëmijë. Janë disa ligje që zbatohen në varësi të situatës së fëmijës, mund të jetë ligji për azilin apo ligji për të huajt.
Ligjet konkurrojnë me njëra tjetrën dhe autoritetet e kanë pasur të vështirë të gjejnë ligjin e duhur për të zbatuar. Ka një VKM specifike për trajtimin e të huajve të pashoqëruar.
Fëmijët mbas 2-3 ditësh mbajtje në Gjirokastër, nuk ka asnjë marrëveshje apo VKM që të merren nga qendra A në Gjirokastër dhe të sillen në Tiranë.
Pikëpyetja që ngrihet është si kanë vepruar autoritetet për lëvizjen e fëmijës nga pika A në pikën B.
Mënyra e zhdukjes së fëmijëve na bën të besojmë se bëhet fjalë për një strukturë të krimit të organizuar.
Të mos harrojmë se këta fëmijë nuk kanë hyrë në mënyrë të rregullt në kufi, por nga vija e gjelbër nga mali si në Kakavijë edhe në Kapshticë.
Këta nuk janë fëmijë që ishin të lirë të lëviznin ku të donin, por kanë qenë në mbrojtjen dhe kujdesin e autoriteteve shqiptare dhe rezultojnë se janë të zhdukur.
Autoritetet duhet të japin llogari, se ku ndodhen këta fëmijë që janë zhdukur nga qendra ku ndodheshin. Shpresoj që autoritetet shqiptare të nisin hetime serioze lidhur me këtë çështje.
Fëmijët janë zhdukur, ajo që duhet të ndodhë është të reformohet seriozisht sistemi, i cili është ndërtuar i gjithi në mënyrë të gabuar, sa që prodhon vetëm fëmijë të zhdukur dhe humbur.
Duhet zgjidhje emergjente si nga Ministria e Çështjeve sociale dhe nga Ministria e Brendshme.
Të ulemi së bashku dhe të adresojmë këto shqetësime që asnjë fëmijë që hyn në sistem, të mos dalë prej tij në mënyrë të pakuptueshme.



