Administratori i Njësisë bashkiake nr 2 Elez Gjoka është paditur në prokurori pasi akuzohet se ka regjistruar fiktivisht rreth 60-70 shtetas shqiptarë. Këta të fundit rezultojnë të regjistruar me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të tij.
Gjoza i përket LSI-së.
“Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë në datë 25.06.2017, duke u premtuar këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Dje specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të tij.
Gjithashtu këta specialistë, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 328/a, 328/b dhe 186/3 të Kodit Penal.



