
Shtatzënia është një periudhë e veçantë dhe shpesh e ndërlikuar në jetën e çdo gruaje, duke përfshirë ndryshimet fizike dhe hormonale që ajo sjell. Por, mosha dhe fertiliteti janë dy faktorë të lidhur ngushtë që ndikojnë në mundësinë për të mbetur shtatzënë në momente të ndryshme të jetës.
Gjinekologu Shëlqim Balili, i ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, theksoi se vetëdijësimi duhet të rritet, pasi popullsia shqiptare po plaket dhe lindjet po bien në mënyrë të konsiderueshme.
Në vitet e fundit, tendenca për shtatzëni ka rënë, ndërsa mosha e grave që përpiqen të krijojnë një familje është rritur.
Në Shqipëri, shtatzënitë janë më të pakta dhe kjo ka sjellë një rritje të plakjes së popullsisë, e cila nga 23% që ishte në vitin 1986, ka arritur në 37% sot.
Ky fenomen është për shkak të numrit të ulët të lindjeve dhe mungesës së rigjenerimit të popullsisë.
Gjinekologu shpjegoi se shtatzënitë e hershme janë më të suksesshme.
Pas moshës 40 vjeçare, cilësia e spermës dhe e vezëve bie ndjeshëm, duke bërë që shtatzënitë të jenë më të vështira dhe të kenë më shumë mundësi për komplikacione.
Sot, shumë gra preferojnë të krijojnë karrierë dhe të arijnë pavarësi ekonomike, para se të kërkojnë të kenë fëmijë. Shtatzënia është një "garë qelizore" mes spermatozoideve, dhe një spermatozoid që fiton këtë garë është ai që arrin të fertilizojë vezën, ku konkurenca fillon që në nivel qelizor.
Mosha është një faktor kyç për një shtatzëni të shëndetshme. Një djalë 20 vjeç dhe një burrë 40 vjeç nuk mund të kenë të njëjtën cilësi spermatozoidi, ashtu si një vajzë 25 vjeç dhe një vajzë 35 vjeç. Zhvillimi biologjik dhe koha janë ndikues të mëdhenj në suksesin e shtatzënisë.
Në ditët e sotme, një tjetër faktor që ndikon negativisht në fertilitetin është ndikimi i hormoneve të jashtëm (ekzogjenë), të cilët janë të pranishëm në pesticide, termoicide, detergjentë, plastika dhe ndotjen e ajrit.
Këta faktorë shkaktojnë disbalancime hormonale dhe ndikojnë në aftësinë e femrave për të mbetur shtatzëna, duke ulur aftësinë për të krijuar një shtatzëni të shëndetshme.
Në këtë kuadër, Balili theksoi se mosha ideale për të mbetur shtatzënë është deri në moshën 30 vjeç, pasi pas kësaj moshe, rreziku për aborte dhe komplikacione shtatzënie rritet.
Cilësia e spermës dhe vezëve, lidhur me shëndetin, obezitetin dhe problemet hormonale, janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë negativisht në shtatzëni.
Pas moshës 40 vjeç, cilësia e spermës për burrat bie, ndërsa për gratë, cilësia e vezëve ulet, duke sjellë edhe një ulje të numrit të vezëve që ato kanë.
Gratë lindin me një numër të caktuar vezësh, dhe ky numër bie gjatë moshës, duke përfunduar në periudhën e premenopauzës.



