Një person ka vdekur dhe 21 të tjerë janë plagosur mes tyre 9 fëmijë nga të shtënat në Misuri në fund të paradës së fitores së Super Bowl të Kansas City Chiefs.
Zyrtarët thanë se ata trajtuan tetë persona të cilat ishin në gjendje të rëndë për jetën dhe shtatë të tjerë që kishin pësuar lëndime që mund të ishin kërcënuese për jetën.
Nëntë fëmijë ishin në mesin e të plagosurve të gjithë pritet të shërohen. Policia tha se ka arrestuar tre të dyshuar në lidhje me të shtënat.

Të shtënat ndodhën në qendër të qytetit në fund të paradës për titullin e tretë radhazi të fituar nga Chiefs të dielën në Las Vegas kundër San Francisco 49ers, në një event me një audiencë rekord falë edhe efektit Taylor Swift, e dashura e Travis Kelce.
Mijëra tifozë të veshur me bluzat e kuqe të skuadrës festuan rezultatin. Por pak minuta pas përfundimit të paradës, u dëgjuan disa të shtëna, duke shkaktuar panik mes turmës.
Policia ngriti alarmin menjëherë me anë të njoftimeve X-it, duke i ftuar njerëzit të largohen nga epiqendra e të shtënave. Më pas u kapën tre autorët e dyshuar të sulmit, që ishin të armatosur.
Më shumë se 800 policë ishin në vendngjarje për të monitoruar paradën, thanë zyrtarët. Reparti zjarrfikës i qytetit ishte gjithashtu i pranishëm për të ofruar kujdes mjekësor nëse ishte e nevojshme.






