
Reshjet e dendura të shiut dhe borës, në formën e stuhive kanë përfshirë një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara, duke paralizuar vendin.
Pjesa lindore nga Kentaki dhe deri në Washington janë nën pushtetin e temperaturave të ulta dhe ngricave, duke lënë pa energji elektrike dhjetëra mijëra banorë.
Moti i keq shkaktoi gjithashtu me qindra aksidente rrugore, ndërsa ekspertët thonë se rrezikohen përmbytje, pas rritjes së temperaturave dhe shkrirjes se borës e akujve.
Përmbytjet rrezikojnë dhe Kaliforninë e cila vetëm pak javë më parë u përfshi nga zjarre masive, që shkaktuan qindra miliona dollarë dëme.
Sipas autoriteteve më shumë se 190,000 banorë në Virxhinia dhe më shumë se 13,000 në Karolinën e Veriut, janë pa energji elektrike, ndërkohë që rreth 2,500 fluturime u anuluan ose u shtynë në të gjithë vendin.
Bora e madhe ka prekur Iowa, Çikagon, Detroitin, Kentakin, Washingtonin e të tjerë.
Paralajmërimet për stuhinë e akullit janë lëshuar edhe për Ohajon, Virxhinian Perëndimore dhe Karolinën e Veriut.
Autoritetet nuk kanë hequr dhe mundësinë e goditjes nga tornadot në zonën e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës.



