
Katër persona ranë në prangat e policisë pasi u kapën në flagrancë në një lokal me një pako me kokainë.
Në foto janë Armet Latifaj, 25 vjeç dhe Gëzim Pashaj, 30 vjeç, të dy të dyshuar se shpërndanin doza kokaine në zona të ndryshme të kryeqytetit. Po ashtu u arrestuan edhe dy të rinj 18 vjeç, për moskallëzim të ngjarjes.
U kapën në flagrancë në një lokal me një pako me lëndë narkotike kokainë, vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 1 kg e 65 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete tip “Benz”, 4 aparate celular dhe një shumë parash. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. L., 25 vjeç, G. P., 30 vjeç, P. K., 18 vjeç dhe J. Z., 18 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit A. L dhe G. P, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen. Ndërsa shtetasit P. K dhe J. Z, shtetas grek, nuk kanë kallëzuar për krimin, shokë me 2 të arrestuarit e lartpërmendur. Më tej, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit A. L. dhe G. P. përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, të ngjashme me njëra-tjetrën, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, me qëllim konfuzimin e Policisë.
Lënda narkotike, së bashku me 2 automjetet, celularët e shtetasve të arrestuar, dhe një shumë parash, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



