Të gjithë e dinë çfarë do ndodhë me qeverinë e re, përveç Edi Ramës

Të gjithë e dinë çfarë do ndodhë me qeverinë e re, përveç Edi Ramës

Denis Dyrnjaja 

Ditët e fundit korridoret e politikës dhe medias janë përfshirë në hamendësime dhe parashikime për përbërjen e qeverisë së re, që Kryeministri Edi Rama pritet të shpallë më 11 shator, kur është paralajmëruar edhe mbledhja e Asamblesë së PS. 

Nëpër studio televizive, portale dhe rrjete sociale, qarkullojnë emra ministrash të rinj, rotacione, largime të sigurta dhe prurje nga jashtë, që projektojnë një frymë ndryshe qeverisëse. Por në të vërtetë, më shumë se një projeksion logjik apo informues, ajo që po ndodh, është një rrumpallë spekulative e pastër, e mbështetur jo në burime reale, por në hipoteza të stisura dhe thashetheme mediatike.

Po krijohen skenarë të tërë në bazë të supozimeve që vijnë nga zëra anonimë, burime të pakonfirmuara dhe individë që shfaqen sikur të jenë këshilltarë joformalë të kryeministrit, madje duke folur publikisht sikur janë ose pjesë e paradhomës kryeministrore ose mentorë të tij, që dinë gjithçka për kabinetin e ri. 

Ndërkohë e gjithë kjo tymnajë ndodh kur tashmë dihet botërisht, që Edi Rama është hermetik dhe i paparashikueshëm në vendimmarrje, sidomos kur bëhet fjalë për kabinetin e ministrave me të cilët do qeverisë. 

Ajo që dihet me siguri është se kryeministri nuk para i ndan me askënd këto plane shumë specifike, që lidhen me ekuilibra dhe brenda PS. Madje nëse pyet njerëz që kanë një lloj konfidence me kryeministrin, për emrat e mundshëm të qeverisë përgjigjja që merr është: për këtë punë mos më pyet se e di vetëm ai, KM-ja apo i gjati - sikurse i ka tashmë nofkat në rrethet e bashkëpunëtorëve te tij Rama. 

Pra kur nuk dinë gjë ata që Rama mban pas vetes, "të gjithë të tjerët hedhin ujë në hava" thotë një shprehje popullore, që përkthehet shkurt, ja fusin kot, i japin hov fantazisë dhe pretendojnë se e dinë çfarë do ndodhë, kush do hyjë, kush do dalë, kush do zbresë e kush do ngjitet në kalë. 

Spekulimet janë aq të shumta dhe kontradiktore, saqë nuk kanë më asnjë peshë analitike. Këto hipoteza krijojnë një perceptim të rremë për një qeveri të re që nuk ekziston ende, dhe që mund të mos ketë as ndonjë ndryshim domethënës në mendësi.

Sepse pak rëndësi kanë emrat, rëndësi ka mënyra sesi qeveriset dhe sesi punohet. Emrat janë thjeshtë numra, njësoj si ushtarët në një lojë shahu që këmbejnë vende, sakrifikohen apo mbrohen. Qëllimi, ka rëndësi të ruhet mbreti i cili vendos kush do sakrifikohet në emër të vazhdimësisë. 

Nga ana tjetër ajo që mund të thuhet me siguri është se Rama gjendet sot në një moment vendimtar, presioni për reformim të qeverisë nuk është më vetëm politik, por edhe moral dhe institucional. 

SPAK ka dosje të nxehta në hetim dhe shumë prej tyre atakojnë bashkëpunëtorë të Ramës në nivel lokal dhe në qeveri. Kjo ka krijuar jo pak pështjellim në themelet e lidhjeve mes pushtetit dhe interesave, përfshirë edhe ato të botës së errët kriminale. 

Nuk janë të izoluara, por me shumicë rastet kur janë marrë vendime të posaçme qeverie për të favorizuar individë, në jo pak raste edhe më të shkuar të dyshimtë. Mjafton të kujtojmë lejet e ndërtimit ku ndër kriteret ligjore është edhe e shkuara dhe historiku i aplikantëve që jo rrallë herë është plot me ngarkesa problematike. 

Ndërkohë ndërkombëtarët kërkojnë sinjale ndryshimi në sundimin e ligjit dhe formalizimin e ekonomisë, e cila në vend që të shkojë në këtë drejtim, po shkon drejt përqendrimit në pak duar. Dhe ky proces për të kontrolluar gjithçka, përmes një vendimmarrjeje të centralizuar, vetëm sa po thellon boshllëkun ndërmjet pushtetit dhe shoqërisë.

Nëse synohet krijimi i një qeverie realisht efektive, energjike dhe produktive, atëherë ajo duhej të lindte nga një reflektim i thellë, jo nga nevoja për imazh. 

Se cilët janë emrat nuk ka asnjë rëndësi, se ata në fund të fundit si pyet kush, për gjithçka vendos vetëm një njeri. Ai quhet Edi Rama dhe sot vendos për gjithçka në parti, pushtet lokal e qeveri, pa pyetur asnjeri. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy