
Në finalen e edicionit të 25-të të “Këngës Magjike” ndodhi një moment i veçantë: një propozim martese surprizë gjatë KissCam-it. Fabian Sinani i propozoi për martesë të dashurës së tij, Arjola Mullaj, me një dedikim të sinqertë nga zemra.
Të ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ata rrëfyen emocionet e njohjes së tyre dhe si u përgatit momenti i madh, pikërisht në sallën e Pallatit të Kongreseve, aty ku ata edhe ishin njohur për herë të parë.
Fabiani:
Akoma s’e kemi marrë veten nga ato emocione, ishte një moment legjendar. Edhe sot, sa herë që shoh videon, zemra më rreh njësoj si atë ditë.
Ne të dy jemi tipe kreativë dhe për vajzën që dua doja diçka të veçantë. Fillimisht mendoja të organizoja një surprizë në Paris, por më dukej shumë bazike. Pastaj mendova se vendi më i bukur për propozimin do të ishte pikërisht aty ku jemi njohur: te Pallati i Kongreseve.Shkova atje dhe takova drejtorin, i cili më dha lejen, por më tha se ‘Pallatin e ka Arditi’. Më uroj fat që të gjeja kontaktin e tij.
Kontaktova këngëtarin Xhek, i cili më lidhi me Dorinën. I tregova historinë tonë dhe ajo më tha që do fliste me Arditin. Kur u takuam me të, Arditi e përkrahu menjëherë idenë.Jemi njohur në mars dhe jemi lidhur në maj. Shkoi shpejt, sepse që në momentin që e njoha, e kuptova që ajo ishte personi me të cilin do kaloja jetën.
Për herë të parë u takuam në ‘Tirana Fest’, në një koncert. U prezantuam, folëm pak dhe shkëmbyem Instagramin. Në atë kohë isha i fokusuar te biznesi, ndaj nuk mendoja se ishte momenti i duhur për t’u lidhur.Takimi ynë në Pogradec ishte krejt rastësor. Ishte një konferencë e grave, ku kishim shkuar me disa miq. Pas sesionit, gjatë drekës, pashë nga xhami që vinin dy vajza. Kur pashë Arjolën, zemra më rrahu fort. Ajo erdhi me mamanë e saj. U befasova aq shumë, sa thjesht e përqafova.
Arjola:
Ai më kishte thënë se do kontaktonim Dorinën, një shoqe e imja gazetare, për të shkuar në një koncert. Nuk kisha asnjë ide që do më bënte një surprizë kaq të madhe.
Fabiani më njeh më shumë se sa njoh veten. Nuk e dija që do na nxirrnin në KissCam dhe po lutesha të mos dilnim. Kur u shfaqëm në ekran dhe ai më bëri propozimin, thashë ‘Po’ menjëherë, thjesht e natyrshme, sikur po jepja një betim.
Momenti kur ne jemi njohur ka qenë kur unë isha ulur me mamin në Palkatin e Kongreseve, kur erdhi një mik i përbashkët nga Korça dhe na tha të uleshim më afër. Papritur u afrua edhe Fabiani, shumë energjik, duke folur për një startup. Isha kthyer nga Amerika vetëm një vit më parë dhe më la përshtypje mënyra si fliste dhe angazhimi i tij. Edhe me agjencinë time i thashë se mund ta ndihmoja.
Historia me të ndryshoi shumë gjëra. Në fillim ishte lidhje shoqërore.
Kur u takuam në Pogradec dhe ai më përqafoi, i thashë mamit: ‘Nuk po i gjej asnjë të metë.’



