SHBA do të bëhet vendi i dytë pas Mbretërisë së Bashkuar që do të hapë dritën jeshile për dërgesat e predhave të uraniumit të varfëruar në Ukrainë, sipas Reuters, pavarësisht shqetësimeve se municione të tilla mund të kenë një efekt negativ dramatik në shëndetin publik dhe mjedisin.
Municionet janë të destinuara për tanket amerikane Abrams, e para prej të cilave pritet të mbërrijë në Ukrainë në javët e ardhshme, njoftoi agjencia. Sipas disa zyrtarëve amerikanë të paidentifikuar dhe një "dokumenti" të cituar nga Reuters të shtunën, predhat e uraniumit të varfëruar do të jenë pjesë e dhurimit të ardhshëm të armëve prej shumë milionë dollarësh që pritet të shpallet javën e ardhshme.
Më herët vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shkaktoi zemërim te Moska, me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov që tha se shpërndarja do ta çonte këtë përshkallëzim në një fazë të re dhe shumë serioze. Ambasada e Rusisë në Londër akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj se janë të gatshëm ta kthejnë Ukrainën në “jo vetëm një poligon qitjeje ushtarake anti-ruse, por edhe një landfill radioaktiv”.
Në vazhdën e lëvizjes britanike, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Moska do të përgjigjet duke vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusinë fqinje. Ai vuri në dukje se në këtë drejtim veprimet e Moskës nuk ndryshonin nga ato të SHBA-së, e cila ka stacionuar armë bërthamore në pesë vende evropiane



