Një person është ndaluar nga policia kufitare në Muriqan pasi gjatë kontrollit në makinë i janë gjetur rreth 500 mijë euro të padeklaruara.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin tip “Benz”, gjetën të fshehura në mjet, 494.785 euro, të cilat shtetasi Rudolf Radi nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Rudolf Radi, 56 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.



