
Edlira Çepani shprehet e zhgënjyer nga qëndrimi i qeverisë për protestat, duke thënë se qeveritarët kanë përgjegjësi për të qenë zëri përfaqësues i popullit.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, tha në emisionin “Arnautistan”, se nëse çdo zë kundër qeverisë anatemohet, është shkelje e të drejtave të njeriut.
Eksponentë të partive politike, na thuhet. Të gjitha këto epitete që na vihen, janë në kundërshtim me njëra tjetrën, por vijnë si mënyrë për t’iu bërë presion njerëzve që dalin në protestë, se do të anatemohen nëse dalin. Kësaj radhe qytetarët kanë dalë krejt spontanisht, njerëz të cilët në kushte normale nuk rrinë bashkë. Anatemimet nuk kanë ardhur vetëm nga Kryeministri, por edhe nga kryetari i bashkisë, i cili thoshte si ‘nuk keni vajtur të jepni një pjatë supë për shtresat në nevojë, por vetëm dilni në protestë’. Por ne jemi një grup që jemi aktiv jo vetëm në protesta.
Lidhur me sjelljen e policisë me protestuesit, ajo tha se njerëzit kanë vendosur vetë që të bllokojnë rrugën, pasi kanë qenë të revoltuar nga mungesa e zgjidhjes dhe përballjen me sharje.
Ne këtu protestat i kemi shumë paqësore dhe policia ushtron shumë më tepër dhunë tek protestuesit shqiptarë. Reagimi i policisë është i tepruar dhe mbajtja në arrestim e aktivistëve, ka qenë shpesh e tepruar. Nuk kishte pse të kishte kaq presion për të shuar protestën. E gjithë procedura është bërë në shkelje, ndaj protestuesit janë liruar.
Ajo kujtoi se në fillimin e luftës në Ukrainë, kanë dalë për të protestuar kundër luftës, por këtë herë protestohet kundër abuzimit me luftën.
Nëse nuk vazhdojmë do të ketë abuzime kundër të gjithë çmimeve të tregut. Nuk funksionon mbrojtja e konsumatorit siç funksionon në shtete të tjera. Jemi të disavantazhuar për çdo litër naftë, prej një sërë taksash që ne paguajmë.



