
Situata është kritike, kriza e narkoshtetit është thelluar. Kjo është revolta më e fuqishme studentore. Rama ka urdhëruar banditët e tij për të çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh.
Kështu tha kryedemokrati Sali Berisha mbrëmjen e sotme për protestën e studentëve, në një takim me kryetarët e degëve të partisë, ndërsa siotuatën e cilëson kritike.
Sipas tij, kriza e narkoshtetit po thellohet çdo ditë dhe se revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore.
Ai u zotua se opozita do të jetë krah studentëve dhe qytetarëve përballë Edi Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e tij më të menjëhershme.
Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë. Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre.
Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.
Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës. Ne këta studentë dhe këtë protestë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë.
Edi Rama do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët dhe me studentët. Ne do i mbështesim ata, me të gjitha format dhe mundësitë. Unë në mënyrën më të prerë i kërkoj Edi Ramës dorëheqjen e menjëhershme. Kjo është protesta kur është mbushur kupa. Edi Rama jep dorëheqjen që kriza mos të të përpijë. Historia ka treguar se ata që nuk kanë dhënë dorëheqjen e kanë pësuar në mënyrën më fatale.



