Ayatollah Ali Khamanei ka urdhëruar Iranin që të godasë drejtpërdrejt Izeaelin në përgjigje të vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.
Një lajm i tillë raportohet nga NewYork Times, duke cituar tre zyrtarë iranianë të njohur me urdhrin.
Khamenei e dha urdhrin në një takim urgjent të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit të mërkurën, menjëherë pasi Irani njoftoi se Haniyeh ishte vrarë, thanë tre zyrtarët iranianë, mes tyre dy anëtarë të Gardës Revolucionare.
Irani dhe Hamasi kanë akuzuar Izraelin për vrasjen. Izraeli, i cili është në luftë me Hamasin në Rripin e Gazës, as nuk e ka pranuar dhe as mohuar vrasjen Haniyeh, i cili ishte në Teheran për inaugurimin e presidentit të ri të Iranit.
Izraeli ka një histori të gjatë të vrasjes së armiqve jashtë vendit, përfshirë shkencëtarët bërthamorë iranianë dhe komandantët ushtarakë.
Në prill, Irani bëri sulmin më të madh dhe më të hapur ndaj Izraelit pas dekadash armiqësie, duke lëshuar qindra raketa dhe dronë në hakmarrje për një sulm izraelit në kompleksin e ambasadës së tij që vrau disa komandantë ushtarakë iranianë në Damask, Siri.
Komandantët ushtarakë iranianë po konsiderojnë një tjetër sulm të kombinuar të dronëve dhe raketave ndaj objektivave ushtarake në afërsi të Tel Avivit dhe Haifës, por do synojnë shmangien e sulmeve ndaj objektivave civile, thanë zyrtarët iranianë.
Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, udhëzoi komandantët ushtarakë të Gardës Revolucionare dhe ushtrisë që të përgatisin plane si për një sulm ashtu edhe për një mbrojtje në rast se lufta zgjerohet dhe Izraeli ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës godasin Iranin, thanë zyrtarët.
Në deklaratën e tij publike për vdekjen e Haniyeh, Khamenei sinjalizoi se Irani do të hakmerrej drejtpërdrejt, duke thënë, “ne e shohim hakmarrjen për gjakun e tij detyrën tonë”, sepse kjo ndodhi në territorin e Republikës Islamike.
Ai tha se Izraeli kishte krijuar skenën për marrjen e një ndëshkimi të ashpër.



