Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka prezantuar sot vendimin e ri të qeverisë që lidhet me shtesat pa leje. Balluku tha se ndërtesat me shtesa pa leje do të konfiskohen.
“Vendimi lidhet me ndërtimin e shtesave që janë dhënë nga bashkitë apo KKT. Kjo kohë ka mbaruar. Ky trend i zhvilluar kohët e fundit, pavarësisht se leja është 3 kate, i bëjmë kate sipër. Kjo s’do të ndodhë më. Këto ndërtesa që kanë këto specifikime, do të konfiskohen. Do të përdoren për të shpronësuar qytetarët”, tha ajo.
Balluku tha se ndërtesat do të konfiskohen për përdorim publik, për t’ua dhënë qytetarëve që preken nga projektet publike. Kjo masë sipas Ballukut ka për qëllim dekurajimin e ndërtuesve për të shkelur ligjin.
Sipas saj, në lidhje me këto raste do të nisë edhe një hetim, i cili ka për qëllim të verifikojë sjelljen e administratës shtetërore në raport me ndërtimet pa leje.



