Analisti Baton Haxhiu ka komentuar protestën e fundit të opozitës në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Ai vuri në pikëpyetje konceptin e përdorur nga opozita për “kryengritje paqësore”, duke e cilësuar atë si një togfjalësh kontradiktor që, sipas tij, përpiqet të justifikojë forma të ndryshme tensioni dhe dhune në protesta.
Haxhiu u ndal veçanërisht te mënyra se si përdoret termi nga lideri i opozitës, Sali Berisha, duke argumentuar se brenda këtij koncepti përfshihet një përzierje mes rebelimit dhe paqes, që në praktikë krijon paqartësi mbi qëllimet reale të protestave.
Ky tog fjalësh, ‘kryengritje paqësore’, nuk ka kuptim me këtë që shohim… për të arsyetuar çdo dhunë që mund të përdoret nga protestuesit.
Sipas analistit, narrativa politike e opozitës përfshin edhe një përpjekje për të ndërtuar një rrëfim të ri përmes viktimizimit, duke aluduar për një kërkim të mundshëm të një ngjarjeje simbolike që do të ndikonte në opinionin publik.
Berisha e kërkon një gjë, 21 janarin me çdo kusht… kërkimi i viktimës është i domosdoshëm për të ndryshuar rrëfimin e politikës, por është jo humane.
Haxhiu komentoi gjithashtu rolin e policisë në menaxhimin e protestave, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si duhet trajtuar opozita: si një forcë politike legjitime apo si një grupim që shfaq elemente anarkiste gjatë aksioneve në terren.
Në analizën e tij, ai theksoi se reagimi i institucioneve të sigurisë shpesh reflekton edhe klimën politike dhe raportet mes mazhorancës dhe opozitës, duke e bërë situatën më komplekse.



