
Sot në orën 16:00, nisi sesioni i ri parlamentar. Në seancën e parë për vitin 2022, do të marrë pjesë dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili është në vendin tonë në një vizitë zyrtare. Nga ana tjetër, deputetët një e nga një kanë mbërritur në Kuvend.
Seanca ka nisur me një minutë heshtje për ish- presidentin e Parlamentit të BE-së, David Sassoli, i cili ndërroi jetë 7 ditë më parë. Edhe pse Berisha pati thënë se do të shkonte në Kuvend, sërish nuk ka shkuar.
Në seancën hapje, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, tha se prioritet mbetet mbledhja e parë e Konferencës Ndërqeveritare, që do të jetë një hap për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Më tej, ajo tha se zgjatja e afateve të vettingut, plotësimi i vakancave dhe bashkëpunimi me grupe interesi e aktorë të jashtëm do të jenë prioritete për të ardhmen.
Nikolla lexoi edhe ndryshimet e reja të propozuara nga Partia Demokratike me zëvendësimet e mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha në Komisione dhe përjashtimet nga Grupi Parlamentar.
Menjëherë pas kësaj deputeti Edmond Spaho ka marrë fjalën në seancë plenare dhe ka kundërshtuar vendimin e Partisë Demokratike për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Nuk e kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte kohën e diktaturës kur njerëzit përjashtohen nga Kuvendi. Pres që të më njoftojë tani edhe fshatin ku do të më internojë. Nuk më përjashton dot njëri mua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. S'më përjashton mua ai që futi kriminelë në Selinë e PD-së dhe goditi më gaz lotsjellës mbështetësit e PD. Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur 4 palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e e demokratëve. Do t'i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t'i japin atë që meriton këtij njeriu.
Ndërsa deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë kundërshtuar vendimin për përjashtimin apo pezullimin e tyre nga grupi parlamentar i PD.
Deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi. Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm", tha Bylykbashi.
Ju keni marrë urdhër nga kreu i regjimit që shoqata e bravave, shulave dhe llozeve të trajtohet me dashuri të veçantë nga ana juaj. Ju duhet kjo shoqatë sepse pa të jeni të mbaruar. Vetëm kështu ju fusni në thes opozitës dhe e kontrolloni pluralizmin. Askush nuk ia përcakton përkatësinë deputetëve përveçse votuesit", tha Flamur Noka.



