Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, thotë se ndihma ekonomike për familjet në nevojë në situatën e vështirë që ka krijuar koronavirusi do të shpërndahet bazuar në listën e muajit mars. Në një lidhje me Skype në edicionin e lajmeve në TvT, Kospiri tha se janë 64 mijë persona që përfitojnë nga ndihma dhe njëkohësisht do të lehtësohen nga detyrimet e tjera.
“Lista mbi të cilën do të mbështetet ndihma ekonomike është lista e muajit mars. Shifra është 64 mijë persona, lista ka kaluar të gjitha filtrat. Familjet që janë përfituese të lehtësohen nga detyrimet e reja. Po kujdesemi që të mos mbetet jashtë listës asnjë familje që ka aplikuar. Ndihma ekonomike është në një masë të tillë që u adresohet familjeve në kushte varfërie”, tha ajo.
Ndërkohë, lidhur me personat e moshës së tretë që strehohen në qendrat sociale, Kospiri tha se nuk do të ketë shtesë fondesh.
“Nuk do të ketë shtesë fondi, por kujdes të shtuar. Qendrat tona të mbrojtjes sociale janë në gatishmëri”, tha ai.
Lidhur me shpërndarjen e pensioneve, Kospiri tha se janë krijuar të gjitha mundësitë që të moshuarit të marrin pagesën pa dalë nga shtëpia.
“Është ndërtuar marrëdhënie shumë e mirë me administratorë në bashki dhe pushtetin lokal me që ata për çdo nevojë të kenë të drejtohen te ta. Kemi një marrëveshje me postën, pensionistët duhet të komunikojnë”, tha ajo.



