Kryeministri Edi Rama deklaroi sot edhe një herë në një konferencë për media se zgjidhja e problemit që kanë naftëtarët e Ballshit i takon kompanisë private. Megjithatë, Rama sqaroi se nga ana e qeverisë po negociohet për të gjetur një zgjidhje.
“E kam dhënë një përgjigje timen, mendoj që kjo është një marrëdhënie kapitaliste, nuk është marrëdhënie me shtetin. Përsa më takon, po bëj gjithçka që të gjej një zgjidhje, por deri tani nuk e kemi një zgjidhje. Nuk kemi mundësi ta zgjidhim atë problem nëse nuk kemi një fuqi që e merr përsipër nga pikëpamja private. Është një kompani private. Të gjitha çfarë kemi bërë kanë qenë përpjekje ekstra për të ndihmuar ata njerëz. Nëse nuk do t’i ndihmonin, nuk do të gjendeshin në këtë situatë pas 7 vjetësh, por do të kishin 7 vjet në këtë situata. Unë i mirëkuptoj, por forma të tilla të protestës nuk janë të nevojshme për mua sepse s’kam nevojë të shoh njerëzit në grevë që të sensibilizohem për ta. Me ndihmën e Zotit ndoshta e zgjidhim shpejt dhe më pas do të jap të gjitha detajet.”
Kryeministri Rama në këtë konferencë dha më shumë detaje edhe për nismën për të dhënë naftë pa akcizë e pa taksa për fermerët. Ai u shpreh se në këtë skemë do të përfitojnë të gjithë fermerët që kanë tokë.
Kryeministri shpjegoi se gjithçka do të kryhet online përmes një platforme dhe tha se e vetmja detyrë e fermerit do të jetë të bëjnë deklarimin e tokës përmes niptit. Rama shtoi se fermerët përfitues do të pajisen me një kartë. Gjithçka do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Gjithçka do të jetë online, të dhënat do të grumbullohen në bazë të një programi në një tablet për të cilën ka filluar puna nga Ministria e Bujqësisë. Duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, nafta, kaburanti për prodhimet bujqësore do të jepet falas pa akcizë, pa taksën e karbonit, pa taksën e qarkullimit. Kur them falas, kini parasyh që sasia kompensuese e çmimit për sasinë e tokës së punuar do të jepet nga shteti. Nuk do të ketë nevojë fare as për merr e ço, ço fatura, etj., që kanë hapur probleme në skemat e të shkuarës, duke e bërë skemë korrupsioni. Me teknologjinë dhe me këtë skemë ne faktikisht u japim fermerëve që të mos kenë asnjë ngarkesë burokratike. Thjesht kanë niptin, futen në platformë, bëjnë deklarimin e sasisë së tokës, mbi këtë sasi bëhet kalkulimi për naftën që duhet. Sasia që do të harxhojë për barrën 50% mbi çmimin do të jepet falas.”
Kreu i qeverisë tha se nga kjo nismë do të përiftojnë si fillim 70 mijë fermerë që janë të regjistruar, për të vijuar më pas me pjesën tjetër. Edi Rama paralajmëroi se ata fermerë që tërheqin naftën dhe nuk kryejnë punimet e deklaruara në platform, do të përjashtohen nga skema për disa vite.



