
Në 15 prill 2019, u regjistrua një nga ngjarjet që tronditi të gjithë botën! Katedralja Notre-Dame e Parisit u përfshi nga flakët, e teksa kanë kaluar 2 vite, rikonstruktimi i saj nuk ka përfunduar ende.
Ministrja Franceze e Kulturës, Roselyne Bachelot, bëri me dije se ajo do të rihapet në vitin 2024.
Me donacione prej një totali prej 833 milionë euro, "shumat e mbledhura na lejojnë të trajtojmë me qetësi këtë kantier, i cili do të rihapet në 2024", specifikoi ajo, pas rikuperimit së fundmi nga Covid-19, gjatë një fjalimi në Senatin në Paris.

Sot dy vjet pas zjarrit, Bachelot do të vizitojë vendin e ndërtimit të katedrales gotike të një prej simboleve themelore të Francës dhe Europës, së bashku me presidentin, Emmanuel Macron.
Në atë kohë, kreu i shtetit kishte bërë thirrje që ndërtesa të rindërtohej në pesë vjet, në kohën e Lojërave Olimpike Paris-2024.
Gjenerali Jean-Louis Georgelin, i cili mbikëqyr vendin e ndërtimit në emër të Macron, gjithashtu ka garantuar që Notre Dame do të jetë në gjendje të rihapet në 2024, me një Te Deum tashmë të vendosur për 16 Prill, edhe nëse punimet nuk do të përfundojnë plotësisht në atë datë.




