
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Alekandër Biberaj, foli në MCN Live mbi 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, si dhe zhvillimet politike nga dhjetori ’90 deri në ditët e sotme.
Biberaj tha se sot ka një zymtësi që të kujton atë të 32 viteve më parë, ku ka humbur besimi te klasa politike e lodhur dhe amortizuar.
Ndërsa rrëfen takimin e studentëve me Aliajn, Biberaj tha se ky i fundit shihej si Gorbaçov i vogël, megjithatë mosbesimi ishte i pranishëm mes të rinjve.
Dje duhet të ishte një moment solemn, por edhe reflektimi. Situata politike është shumë e agravuar, si asnjëherë më përpara në këto 32 vite, përjashtuar 96-ën, dhe 91-shin. Është bllokuar rotacioni politik. Ngjan shumë me dhjetorin e 90-ës si zymtësi, te humbja e besimit te klasa politike shqiptare. Një klasë politike e lodhur, tejet e amortizuar, 32 vite. Më 8 dhjetor në darkë ka filluar lëvizja. Në 1:30 është bërë një takim me Ramiz Aliajn me idenë që të merremi vesh. Ai bëri një premtim që 'në Qytetin Studenti nuk u prek njeri, por mos dilni nga Qyteti Studenti'. E kam diskutuar me Azemin, që 'e fituam'. Kjo ishte fitorja e parë. Ka pasur një përleshje atë natë. Sepse kemi synuar të dilnim, që populli i Tiranës ta merrte vesh. Është gdhirë dita, është vendosur bojkotimi i mësimit. Pranë ambasadës amerikane ka pasur një përleshje. Në krahun e liceut ka pasur intelektualë. Përveç doktor Berishës që foli për pluralizëm mendimi, dhe Kadaresë të tjerë s’ka pasur. Disidencë s’ka pasur, intelektualët shqiptarë ishin konformistë. Aliaj kërkoi një përfaqësi dhe u bë takimi në Pallatin e Brigadave në 11. Aliaj ishte njeri i arsimuar, njeri i zgjuar dhe mblodhi Pleniumin që lejoi pluralizmin. Ka ardhur ekipi në Qytetin Studenti me autobus dhe atë natë është marrë edhe regjistrimi në audio. Frika ishte nga të gjitha anët, çfarë do bëhej me këta përfaqësues të lëvizjes dhe të mos na tradhtonim. Por ne kishim një farë vlerësimi pozitiv për Aliajn sepse e shihnim një Gorbaçov të vogël”.
Sa i takon debatit nëse PD është themeluar në 11 dhjetor apo 12 dhjetor, Biberaj tha se personalisht i qëndron datës 12, sepse atë ditë është bërë mitingu ku u lançua partia e parë opozitare.
Vitet e para kemi festuar me 12, sepse në 12 është bërë takimi në Qytetin Studenti, një miting madhështor, në 12 dhjetor është bëra takimi i prezantimit të PD, dhe kanë ardhur nga gjithë Shqipëria. Kjo është quajtur data e themelimit të PD. Në 11 ka ndodhur kjo që pas takimit me Alijn, është bërë shpërndarja e studentëve, ka qenë një udhëheqësi që do merrej me krijimin e një partie. Është bërë një takim në shtëpinë e Pashkos, ku ka qenë Berisha, Pashko, Meksi, Imami. Unë i qëndroj 12-ës sepse në 12 është bërë mitingu i lançimit zyrtar të PD-së. 11 s’më pëlqente për një arsye, sepse ishte dita e Alisë. Ka mbledhur Pleniumin. Ka pasur debate, zëra që t’u çojmë tankset, gardistët, etj”.
Biberaj vuri në dukje se klasa politike ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe për këtë, u shpreh ai, “duhet t’u kërkojmë falje shqiptarëve”.
Biberaj veçoi si dy nga qeveritë më të mira, atë Berisha 2005-2009 dhe qeverinë Meksi 92-96’.
Ngjarjet e fundit në Evropën Juglindore i kemi përcjellë me vëmendje, Shqipëria kishte prekur fundin. Por duke dëgjuar Aliajn, që s’jemi as Lindje as Perëndim, bëheshim pesimist për të ardhmen. Kishte pasur një lëvizje në Shkodër, regjimi ra në Kavajë. Ishte zbehur pushteti i Partisë së Punës. Ndoshta 2 korriku dhe ajo që i vuri kapakun ishte ikja e Kadaresë, një intelektual që kishte një jetesë të mirë. Kur iku Kadareja e pamë që këtu ose duhej përmbysur sistemi ose duhet të iknim të gjithë. Në auditorë kishte dy linja, të reformojmë sistemin pa ndryshuar sistemin. Pjesa tjetër e studentëve në mazhorancë ishte që ky sistem duhej ndryshuar. Dëgjonim në VOA lajmet. Ishim edhe brez i pjekur. Të drejtat e njeriut ishin në fund, vriteshin përditë në kufij. Ishim koshientë që duhej kërkuar pluralizmi politik, se sa dinin studentët dhe intelektualët për pluralizmin politik, gjithsecili mund të japë gjykimin e vet. Hajdari ka qenë figura qendrore e lëvizjes. E kapi momentin Berisha dhe u vu në drejtim të lëvizjes. Është vetëshpallur lider, ka thënë që unë vetësakrifikoj gjithçka për të qenë drejtues i lëvizjes dhe ishte drejtues i lëvizjes. Azemi nuk jeton, Broci u vra, një pjesë kanë ikur nga Shqipëria. Ka pasur një zhgënjim total, u mbyll universiteti që s’kishte bërë vaki. Shumë studentë ikën jashtë Shqipërisë. Lufta brenda llojit ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë mbetur shumë pak në politikë dhe ata që kanë mbetur kanë zhgënjim të jashtëzakonshëm. Ka të bëjë me të gjithë ne, patjetër edhe me Berishën. Të vish pas 32 vitesh të thuash: ‘Liri, demokraci’, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Çfarë ke bërë?! Kemi dështuar në mënyrë spektakolare dhe duhet t’u kërkojmë falje shqiptarëve se u kemi marrë 32 vite. Nëse do gjykojmë qeverisjet më të mira të Shqipërisë, dy kanë qenë, qeverisja Berisha 2005-2009 dhe ajo Meksi 92-96”.
Lidhur me të ashtuquajturit “pardesytë e bardha”, Biberaj tha se intelektualët dhe drejtuesit politik në Shqipëri kishin reminishenca të partisë-shtet. Ai e konsideroi si të mjerueshëm faktin që Shqipëria ende ka aktiv një brez politikanësh që kanë 32 vire në politikë dhe elitat kanë ikur jashtë vendit.
Është diskutuar me një konotacion negativ. U bë modë atëkohë se intelektualët shqiptarë ato mundësi kishin. Konotacioni ishte që një pjesë mund të ishin futur nga Sigurimi i Shtetit. Di të them që intelektualët shqiptarë dinin pak për demokracinë. Edhe ata që erdhën në krye të PD, dinin modelin e partisë-shtet, modelin e Partisë së Punës. Mua s’më shqetëson kjo gjë, por pse s’mësuam nga Perëndimi. S’është turp të mos dish, është turp të mos mësosh. Ishte një rrugë që e kishte shkelur Perëndimi me shekuj, rrugën e demokracisë. Më ka bërë përshtypje pse nuk zbatuam parimet e Perëndimit, kaq e thjeshtë ishte, copy-paste. Edhe qeveria aktuale i di gjërat por vepron kundër vlerave demokratike, ekonomisë së tregut. Ne jemi komb që s’reagojmë, nuk protestojmë, ushqejmë kultin e individit. Nuk i kufizojmë mandatet, kryeministri dy mandate, do ishte brilante. 4-5 politikanë kanë bërë ligjin që nga Dhjetori 90. Është e mjerueshme që sot Shqipëria ka një brez politikanësh 32 vite në jetën aktive. Është bllokim total i rotacionit të elitave brenda partive. Bota ka bërë sistem, të gjithë skeletin ligjor i ka të shenjta, nuk i prek askush. Ne s’i kemi këto elementë të sistemit. Akoma e kësaj dite s’kemi votën, si brenda partie ashtu edhe jashtë partisë. Elita e kombit kanë ikur jashtë. Njerëzit e ditur, të lexuar ikin jashtë. Nuk i do kush në Shqipëri njerëzit që mendojnë në mënyrë të pavarur. Po të shikosh nivelin e Parlamentit të Shqipërisë, është tmerr. Jo që s’e krahason me 92-shin, por as me 1920-ën. Kemi shkuar keq e më keq. Nëse vë gomarin para kalit, kali çfarë do bëjë, do flejë gjumë! Emrat e kësaj qeverie s’i njeh kush, janë anonimë”.



