Politikanë të ndershëm, por jo të varfër

Politikanë të ndershëm, por jo të varfër

Ne gazetarët shqiptarë nuk para e kemi bërë të udhës të japim lajme italiane që kanë në qendër të tyre presidentin e Republikës së Italisë. Sepse ky i fundit ka funksione pothuajse honorifike, ashtu si edhe në Shqipëri, apo në përgjithësi në republikat parlamentare. Atje figura qendrore e sistemit politik dhe institucional është kryeministri. Ai përfaqëson vendin jashtë Italisë, por edhe në të gjithë procesin e vendimmarrjes. Prandaj, të gjitha lajmet italiane të natyrës politike kanë në fokus kryeministrin. 

Por këtë herë, para disa ditësh, portalet shqiptare publikuan një lajm që kishte në qendër Sergio Mattarella-n, presidentin e Italisë. Arsyeja kishte të bënte me një fakt disi të veçantë. Sergio Mattarella ishte parë këto ditë, sipas burimeve të shtypit italian, i shoqëruar nga vajza e vet, duke ardhur vërdallë nëpër Romë e duke trokitur në një apartament, sepse donte të shihte personalisht një shtëpi që dëshiron ta marrë me qira, për të jetuar në periudhën post-presidenciale, e cila vjen së shpejti, sepse ai është në fund të mandatit. Kur e pa e zonja e shtëpisë, ajo u befasua, u shokua. Do të ishte shokuar më pak, nëse atë prag dere do ta kishte kaluar ndonjë engjëll, apo ndonjë vizitor nga qielli, dhe jo presidenti i republikës së vendit të vet. Me emocionet që e kapën në moment, ajo i kërkoi një selfie. Dhe ky ishte lajmi. Portalet e transmetuan si lajm, dhe ai e meritonte të trajtohej si i tillë, sepse nuk ndodh çdo ditë që një president i republikës të vijë vërdallë nëpër kryeqytetin e vet në kërkim të një shtëpie me qira në fund të mandatit të vet presidencial. 

Por gazetarët kanë bërë një teprim. Ata e interpretuan këtë ngjarje në mënyrën e vet, duke kërcyer shumë lehtë në përfundimin se, bazuar në këtë ngjarje, presidenti Mattarella është i varfër. Pse? Sepse ai ka marrë një shtëpi me qira. Por nuk është domosdoshmërisht kështu. Madje, unë kam frikë se në shumicën e herëve është e kundërta; kush merr shtëpi me qira e ka xhepin plot. Dhe Sergio Mattarella - për të gjithë gazetarët e rinj që kanë shkruar lajme të tilla - është një politikan që nuk është i varfër. Përkundrazi. Në përgjithësi, politikanët në perëndim nuk janë të varfër. Nuk janë njerëz të cilëve duhet t’u qajmë hallin. Jo! Shoqëria e shteti atje u ka garantuar një jetë të denjë, në mënyrë që në procesin e vendimmarrjes, në ushtrimin e veprimtarisë me funksione publike, të mos kenë kokëçarje të natyrave që ne njerëzit e shtresave poshtë. Kjo është logjika. Për ilustrim, të ardhurat mujore të një politikani italian kapin shifrën e pesëmbëdhjetë mijë eurove. Këto të ardhura përfshijnë rrogën e tij mujore plus disa përfitime të tjera të natyrës legale, të njohura.

Dhe nuk është se janë të njohura vetëm në Itali për figurat institucionale – deputetë, senator, parlamentarë, apo për figurat në sistemin e drejtësisë. Jo! Në të gjitha vendet e avancuara, në të gjithë botën demokratike, klasa politike dhe institucionale rrethohet me disa privilegje të tilla, që janë testuar nga koha dhe janë konsideruar të rëndësishme për ushtrimin e veprimtarive publike. Meqë jemi te rrogat: rroga e presidentit të Italisë, që do të thotë edhe rroga e Sergio Mattarella-s, është njëzet mijë euro në muaj. Sikur të llogaritej rroga e Mattarella-s vetëm në shtatë vitet e fundit - gjatë të cilave ka drejtuar vendin si president - do të arrihej në përfundimin se Sergio Mattarella nuk është i varfër.

Lëre pastaj po të llogarisim faktin se përpara se të hynte në pallatin presidencial “Quirinale”, Sergio Mattarella kishte një alamet rroge, sepse ka qenë në funksione të rëndësishme: deputet, senator, por edhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Dhe si anëtar i kësaj gjykate, ai ka marrë në një vit pesëqind mijë euro, në mënyrë legale. Dhe në periudhën 2008-2015, kur filloi mandatin presidencial, të ardhurat e tij kapnin shifrën e tre milion eurove. Përfundimi: Sergio Mattarella nuk është politikan i varfër. 
Gazetarët përcillnin edhe mesazhin tjetër se Sergio Mattarella është edhe politikan i ndershëm. Është i ndershëm, sepse është i varfër? Jo! Ai është i ndershëm. Sigurisht që është i ndershëm..., por jo sepse është i varfër. Është i pasur dhe i ndershëm. Janë dy gjëra që nuk janë në kontradiktë me njëra-tjetrën. Një politikan, ashtu si kushdo tjetër, mund të jetë i pasur dhe i ndershëm. 

Në të gjithë këtë histori, sipas meje, ka pasur vetëm një lajm. Dhe lajmi ka të bëjë me përulësinë, thjeshtësinë dhe modestinë e këtij njeriu. Ky njeri, një ditë prej ditësh, duke qenë president në detyrë, pa tamtame, pa zhurmë, pa bori, pa makina, pa eskorta, me ndoshta një apo dy bodigardë, i shoqëruar nga e bija ka trokitur në një derë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, ashtu si çdo qytetar i vendit të vet. Ky është gjesti që të emocionon, që të impresionon. Dhe sipas meje, ky është lajmi. Është një gjest i bërë në fund të mandatit presidencial. Në këtë moment, teksa mandati presidencial po mbyllet dhe italianët po bëhen gati të zgjedhin presidentin e ri, një pjesë e rëndësishme e spektrit politik i ka kërkuar Mattarella-s të rikandidojë, sepse do të ketë mbështetjen e tyre në parlament. Por Mattarella u është përgjigjur “Jo! Faleminderit! Një mandat ishte mjaft.” Kjo përgjigje nuk është shumë shqiptare. Nuk para gjen shqiptarë që të thonë: “Jo! Një mandat ishte mjaft.” Por ky është Sergio Mattarella. Dhe kjo ngjarja e fundit që unë tregova, flet edhe një herë për integritetin e tij moral të padiskutueshëm.  
 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy