Rreth 200 mësues të shkollave 9-vjeçare në Korçë e Maliq, nuk kanë marrë ende pagën e muajit qershor. Ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, thotë se më shumë sesa mosmarrja e pagës, problem është frika e mësuesve për të denoncuar vonesën. “Duke pasur parasysh se rroga e mësuesit nuk është ndonjë gjë e madhe dhe çmimet janë rritur shumë, është një domosdoshmëri. Duhet patjetër sot deri në darkë të zgjidhet ky problem. Ne jemi në një situatë ku qytetarët kanë frikë dhe është vrarë e drejta e tyre. Kjo të vret më shumë se mosmarrja e pagës në kohën e caktuar. Është një situatë sporadike por brenda ka shumë probleme. Askush nga arsimtarët nuk e kupton deri ku shkon e drejta e tyre. Ju e dini që nëse të ardhurat e qytetarëve mbahen për disa ditë dhe shfrytëzohen për interesa të tjera, atëherë kjo është shkelje”. Sipas Malajt, vonesa e pagave është vetëm njëri nga shumë problemet që ka sistemi arsimor në Shqipëri. “Mësuesit kanë frikë të ngrenë zërin për shumë problematika që hasen në sistemin e edukimit. Arsimi ka shumë problematika. Janë disa gjëra që jam e bindur se për to zonja Kushi do të reagojë me shumë kujdes. Tashmë është duke na dëgjuar, do të ketë marrë të gjitha masat. Mendoj se zgjidhja do të jetë më shumë teknike”.



