Bisedimet mes amerikanëve dhe rusëve për armëpushimin në Ukrainë kanë ngecur. Sipas zëvendësministrit të Jashtëm rus Sergei Ryabkov, SHBA-të nuk po marrin parasysh "kërkesën kryesore" të Rusisë për të siguruar paqe.
Nuk kemi parë prej Trump-it një sinjal për Kievin për t'i dhënë fund luftës. Sot ka përpjekje për të gjetur një skemë për të shkuar drejt armëpushimit, pastaj kalojmë në disa skema të tjera, të cilat nuk adresojnë kërkesën tonë kryesore - shkaqet rrënjësore të konfliktit.
Për Moskën, siç e kanë përsëritur zyrtarët e saj më të lartë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO është vijë e kuqe.
Ndërkohë, në Kiev, këtë të martë, mbërriti kryediplomatja gjermane Analena Bearbok. Sipas saj, bisedimet ruso – amerikane janë bllokuar.
Për shkak të bllokimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe Rusisë, mbështetja jonë për Ukrainën është absolutisht thelbësore.
Megjithatë, kryediplomati kinez Uang Ji, ndërsa ndodhet për vizitë zyrtare në Moskë, tha se Pekini është i gatshëm të japë ndihmën e tij për të shkuar drejt paqes.
Të dielën, presidenti Donald Trump këmbënguli se kishte përparim në negociata, por nuk mungoi edhe presioni për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Moskës për sulmet e fundit.



