Një 20-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi akuzohet si autor i disa vjedhjeve të ndodhura kohët e fundit në qytet dhe në zonën e Velipojës. Arrestimi i tij u bë i mundur pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Recently”.
Në pranga ra shtetasi Xh. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Nga hetimet e kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, dyshohet se 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas të mitur, ka kryer disa vjedhje në periudha të ndryshme.
Shënjestër e tyre kanë qenë: motomjete të ndryshme, një biçikletë elektrike, një telefon celular, një shumë parash në një lokal.
Gjatë aksionit, policia arriti të gjejë dhe të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale 2 motomjete të dyshuara të vjedhura. Përveç vjedhjeve, situata e të riut është rënduar edhe më shumë pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij.
Gjatë këtij kontrolli, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që ky shtetas mund të ketë kryer.



