Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 44-t, me qytetarë të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të nisë edhe marshimi drejt Kryeministrisë.
Gazetarja Jonida Cakoni raportoi për studion e lajmeve të MCN TV se kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara: dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një qeverie teknike 12-mujore.
Jemi vendosur në sheshin ‘Skënderbej’, ku ka nisur grumbullimi i protestuesve. Thirrjet dhe kërkesat janë të njëjta, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një qeverie teknike 12-mujore. Edhe në ditën e 44-t numri i qytetarëve mbetet i lartë.
Sipas saj, pas grumbullimit në shesh, protestuesit do të vijojnë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe skena nga e cila pritet të mbahen fjalime nga qytetarë të diasporës dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë.
Pas pak nis edhe marshimi nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt Kryeministrisë. Atje është vendosur edhe fonia ku do të flasin qytetarët e diasporës që i janë bashkuar protestës dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Pranë protestës ishte edhe një nga pjesëmarrësit, Arben Kola, i cili deklaroi se mobilizimi qytetar do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave dhe rrëzimin e qeverisë. Fakti që kjo protestë ka mbijetuar deri tani tregon se qytetarët janë të vendosur dhe se mobilizimi do të vazhdojë çdo ditë.
Ai theksoi se pritet një pjesëmarrje më e madhe nga diaspora, veçanërisht gjatë muajve të verës, duke përmendur ardhjen e qytetarëve nga vende të ndryshme të Europës.
Sidomos mërgimtarët pritet të vijnë gjatë verës, kryesisht nga Belgjika, Gjermania dhe Austria, shumë prej tyre edhe me makina. Qershori ishte më i nxehtë se korriku, por deri tani kemi vijuar normalisht me protestën dhe mobilizimi nuk është ndalur.
Kola akuzoi kryeministrin se nuk po largohet për shkak të presioneve politike dhe ekonomike, ndërsa u shpreh se protestuesit do të vazhdojnë qëndrimin e tyre.
Kryeministri është i marrë peng nga mafia dhe mosdorëheqjen e tij e shohim si një përpjekje për të shtyrë kohën, për sa kohë të ketë mundësi. Por dorëheqja do të vijë, sepse ne do të vijojmë të jemi të vendosur deri në realizimin e kësaj kërkese. Protesta nuk do të ndalet asnjë ditë. Do të jemi këtu deri në plotësimin e kërkesave tona.



