
Taksa 100% e vendosur një muaj më parë nga Kosova mbi produktet serbe është kthyer në çështjen e radhës për përplasjet mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe më gjerë. SHBA dhe Brukseli i kanë bërë thirrje Kosovës të heqë taksën, si hapi i parë për lehtësimin e dialogut mes dy vendeve.
Ditën e djeshme, kundër kësaj takse ka dalë edhe vetë ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. Në një intervistë për RTK, Pacolli, i cili mban edhe detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë “Haradinaj”, është shprehur se në këtë pikë, Kosova nuk mund ta refuzojë SHBA-në.
Në emisionin e përjavshëm “Intervista me Blerimin”, Pacolli ka thënë se do të bisedojë me shefin e tij, Ramush Haradinaj, në mënyrë që të merret parasysh kërkesa amerikane.
Pacolli është shprehur se ka një mungesë uniteti mes krerëve të shtetit. Ai e pranoi se qëndrimet e ndryshme në dialogun me Serbinë nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, krijojnë paqartësi. Sipas tij, në bisedimet me Serbinë, Kosova mund të bëjë kompromise të vogla, të cilat ai i vlerëson se do të ndodhin në kuadër të “demarkacionit” me Serbinë.
Një javë më parë, kryeministri Haradinaj e kushtëzoi heqjen e taksës me njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.
“Taksa është vendim i Qeverisë së vendit. Qeveria e vendit, vendimin e ka legjitim. Ka arsye kjo dhe ne kemi informuar qeveritë e jashtme sepse është rrezikuar Siguria Kombëtare e Kosovës, është penguar Kosova në planin e jashtëm. Ne jemi të interesuar ta heqim sot, nëse Serbia na njeh, nëse kjo ndodh sot e heqim”, është shprehur kryeministri i Kosovës.
Kreu i qeverisë së Kosovës duket i bindur në këtë vendim. Sot, pak orë para vizitës së Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, në Prishtinë, Haradinaj tha se mirëpret çdo sugjerim, por taksa mbetet kusht për njohjen.
“Kosova ka të arritura në agjendën europiane, MSA-në dhe agjendën ERA. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë. Njëkohësisht kemi edhe vizita për taksën. Taksa ndërlidhet me njohjen dhe jo me këto dy të parat. E mirëpresim çdo sugjerim apo ide”, tha Haradinaj të enjten në mëngjes.



