Politologu Ilir Kalemaj, për mesazhet e Kryeministrit Edi Rama nga Selaniku, deklaroi se kreu i qeverisë po bën fushatë të cilin e ka nisur qysh në pranverë me Greqinë, për të vijuar me SHBA dhe së fundmi takimi i sotëm.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se takimi i sotëm u parapari nga disa incidente si ai me gazetarët të cilët u bllokuan me orë të tëra në kufi dhe u prit drita jeshile nga ministri i Jashtëm grek, ndërkohë që nuk dihet pse duhej ky bllokim.
Kalemaj shtoi se Kryeministri Rama u shfaq më i përmbajtur në shigjetimin ndaj autoriteteve greke dhe me tone më të ulëta.
Nëse bllokimi i gazetarëve bëhet për penalizimin e zotit Rama për çështjen “Beleri” ka forma dhe mënyra të tjera, aq më tepër kur bëhet fjalë për media joshtetërore.
Është një lloj zbutje e toneve dhe në politikë tonet, simbolika luajnë rol shumë të rëndësishëm për të përcjellë mesazhe të caktuara.
Rama u shfaq më i përmbajtur në shigjetimin ndaj autoriteteve greke.
Por natyrisht duhet t’u jepte dhe shqiptarëve nga pjesa nacionaliste dhe kjo ishte rasti i ndalimit të gazetarit Marin Mema për të hyrë në Greqi.
Për detin duhet bërë një marrëveshje e re për delimitimin.
E kanë shtyrë për një kohë të ardhshme, se mendon se po u prek kjo patate e nxehtë, mund t’i kthehet kundër në bumerang dhe për arsye politike, pala kundërshtare mund të përfitojë.
Është një çështje e padefinuar. Si ligji i luftës që Shqipëria e ka përmendur herë pas here, çështja e shumë diskutuar çame, pronat e minoritetit në Shqipëri, etj.
Shqipëria dhe Greqia kanë një sërë çështjesh që duhet t’i diskutojnë.
Lidhur me ftesën e Kryeministrit për kthimin e emigrantëve në Shqipëri, Kalemaj tha se aktualisht Shqipëria po përballet me krizën më të madhe demografike, pas atij të vitit 1990.
Sipas tij, ka disa vite që qeveria po përpiqet të përballet me shpopullimin, por se deri më tani ka dështuar.
Ai ngriti pikëpyetje se pse Edi Rama u kujtua tani për takimet me diasporën, në një kohë që tashmë është miratuar vota e diasporës dhe sipas tij, kjo është një përpjekje e qartë e Kryeministrit për të tërhequr votën e diasporës.



