"Ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley nuk ka kapacitetin për politikë të nivelit të lartë", u tha Donald Trump mbështetësve në një aktivitet të fushatës në New Hampshire të premten. Ish-presidenti amerikan vuri në pikëpyetje aftësinë e rivales së tij në kampin republikan për t'u marrë me liderë botërorë si Vladimir Putin i Rusisë ose Xi Jinping i Kinës.
Ndërsa ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Haley kërkon të konsolidojë vendin e saj të dytë në garën për biletën presidenciale të GOP përpara zgjedhjeve të së martës në New Hampshire, Trump tha se ajo nuk është "mjaftueshëm e fortë" për këtë detyrë.
"Ajo nuk ka 'stof' presidencial", tha Trump duke shtuar se me këtë nënkupton që Haley, "Nuk do të zgjidhet si zëvendëspresidente". Trump aktualisht ka një epërsi të ndjeshme në raport me rivalët republikan, në garën për të sfiduar Presidentin në detyrë Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Trump aktualisht mban më shumë se 66% të mbështetjes së republikanëve, tha faqja e sondazheve FiveThirtyEight, duke lënë pas me diferencë të dukshme, Haley-n e vendit të dytë (12.3%), e cila nga ana tjetë është 1.2 pikë përqindje përpara guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis.
"Unë e njoh atë shumë mirë," shtoi Trump për Haley, të cilën e emëroi si ambasadore të SHBA në Kombet e Bashkuara në 2017. "Ajo nuk është e fortë mjaftueshëm. Ajo nuk është mjaftueshëm e zgjuar. Ajo nuk respektohej sa duhet. Ajo nuk mund ta bëjë këtë punë", u shpreh ai.



