
Italia i ka kërkuar sot Maltës të pranojë një anije holandeze shpëtimit me rreth 200 emigrantë të shpëtuar në det, teksa qeveria e re po nxit vendet evropiane të marrin më shumë nga barra e emigracionit nga Afrika e veriut.
Anija holandeze e grupit gjerman të shpëtimit "Mission Lifeline" ishte në kërkim të një porti për të lëshuar emigrantët e shpëtuar në det, një ditë pasi ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, tha se anija duhet t’i çojë të shpëtuarit në Holandë.
"Ne kemi qenë në kontakt me Maltën për të ofruar mbështetje nëse ndihma humanitare nevojitet nga anija gjatë orëve të ardhshme", tha një zëdhënëse e qeverisë italiane të premten.

Por ministri i brendshëm i Italisë, duke mbështetur udhëtimin e propozuar në Maltë, ka pohuar se Lifeline duhet të kapet dhe ekuipazhi i saj të arrestohet.
Ai gjithashtu ka sugjeruar se anija e dytë e OJQ-së, Seefuchs, duhet gjithashtu të konfiskohet.
"Për sigurinë e ekuipazhit dhe të të shpëtuarve, ne në mënyrë humane dhe politike i kërkojmë Maltës të hapë portet e saj dhe më pas të sekuestrojë anijen dhe ekuipazhin”, tha Salvini nga Siena.
Malta nuk ka pranuar numra të mëdhej emigrantësh ndërsa në Itali kanë zbarkuar më shumë se 1 milion emigrantë që prej vitit 2014.
Malta tha se ende nuk kishte marrë kërkesë nga anija Lifeline, dhe as nga roja bregdetare italiane. Sot herët Lifeline po lundronte në mes të Tripolit e Maltës dhe mbante 226 emigrantë të shpëtuar nga deti pranë bregut libian..
"Malta nuk mund të sprapset," tha ministri i italian i transporteve Danilo Toninelli, i cili kontrollon dhe rojën bregdetare. Agjencia evropiane kufitare Frontex tha se do të bëjë kërkesë zyrtare te Malta për të hapur portet.
Qeveria italiane ka thënë se nuk do të nënshkruajë ndonjë plan të BE nëse nuk e ka Italinë si prioritet, ndërsa Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria të njohura si Grupi i Vishegradit, thonë se do të bojkotojnë bisedimet.
Qeveria e Italisë dëshiron të deportojë gjysmë milioni emigrantë pa dokumente, shumë prej të cilëve janë të vendosur në qendrat e pritjes. Më shumë se 600,000 kanë arritur në Itali nga Libia në katër vitet e fundit.




